Në Shkup shënohet Dita Botërore e të Pastrehëve

Me rastin e kësaj dite, Kryqi i Kuq ndau 80 pako humanitare me ushqim, mjete për mbrojtje dhe dezinfektim nga COVID-19 dhe veshje mushamë për çdo të pastrehë...

Në organizim të Kryqit të Kuq sot në pikën e të pastrehëve “Momin Potok” u shënua 10 tetori, Dita Botërore e të Pastrehëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e kësaj dite, Kryqi i Kuq ndau 80 pako humanitare me ushqim, mjete për mbrojtje dhe dezinfektim nga COVID-19 dhe veshje mushamë për çdo të pastrehë.

Dragana Llazarevska, koordinatorja e pikës për të pastrehë të Kryqit të Kuq në “Momin Potok”, në deklaratë për media tha se kjo pikë tashmë 12 vite jep ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për të pastrehët që është një nga kategoritë më të prekura të qytetarëve.

Ajo duke theksuar se gjatë 12 viteve të fundit askush seriozisht nuk është përveshur të bëjë ndonjë hulumtim serioz lidhur me shifrat e të pastrehëve në vend tha:

“Flitet për disa prej 300 personash të pastrehë në vitet e fundit. Numri i të pastrehëve po rritet çdo vit. Kjo është për shkak të varfërimit të plotë të qytetarit maqedonas dhe çdo ditë, më besoni, ata sjellin njerëz të rinj të pastrehë në pikën e kontrollit”.

Duke theksuar se në vitet e fundit 15 persona të pastrehë janë riintegruar me sukses në shoqëri, Llazarevska tha se këto 15 persona tashmë janë në disa pozicione menaxheriale.

Sipas saj, të pastrehët në pikën mund t’i shfrytëzojnë shërbimet për mbajtjen e higjienës ndërsa me to punon edhe një ekip i mjekëve, psikologëve dhe punonjës social.

Po ashtu theksoi se gjatë shtatë muajve të fundit asnjë nga personat e pastrehë nuk janë infektuar me koronavirusin dhe se kjo është sukses i madh.

Dita Botërore e të Pastrehëve shënohet çdo vit më 10 tetor ndërsa qëllimi është që të ngritet vetëdija për problemin që është në rritje.

E drejta për strehim të përshtatshëm, ose standard të jetesës, është e përshkruar në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, Neni 11, i cili thotë se shtetet – palë njohin të drejtën për një standard jetese të përshtatshëm për secilin person familjen e tij, punësimin si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të tij të jetesës.

Shtetet palë të Konventës do të marrin masat e duhura për të siguruar ushtrimin e kësaj të drejte dhe për këtë qëllim ata njohin rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit ndërkombëtar të zgjedhur lirisht. Ky pakt u ratifikua nga Maqedonia në vitin 1994.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se ka më shumë se 100 milionë njerëz të pastrehë në botë ndërsa një miliard njerëz jetojnë në banesa të papërshtatshme.