Në Londër po rikthehen shpërndarësit e qumështit – Kërkohen shishet e qelqit për të mbrojtur mjedisin nga plastika

Brezi i “mijëvjeçarëve” është një prej nxitësve më të mëdhenj të mbrojtjes së natyrës. Në një përpjekje për të eliminuar tërësisht përdorimin e plastikës, gjithmonë e më tepër të rinj po zgjedhin të furnizohen me qumësht të freskët nga furgonët e qumështit.

Brezi i “mijëvjeçarëve” është një prej nxitësve më të mëdhenj të mbrojtjes së natyrës. Në një përpjekje për të eliminuar tërësisht përdorimin e plastikës, gjithmonë e më tepër të rinj po zgjedhin të furnizohen me qumësht të freskët nga furgonët e qumështit.

Tashmë shpërndarësit e qumështit në Londër po rikthehen në numra të lartë, teksa rritet popullariteti i shisheve prej qelqi.

Janë vetë prodhuesit e qumështit që tregojnë për këtë rritje interesi që prej fillimit të vitit, që është shoqëruar me një rritje të shitjeve me 25%. Edhe pse furnizimi derë më derë i qumështit zë vetëm 3% të shitjeve totale në të gjithë Britaninë e Madhe, të rinjtë besojnë se mund të bëjnë një diferencë dhe të mbrojnë oqeanet nga plastika ndotëse.

Kompania “Milk&More” e cila i ndihmon njerëzit të gjejnë shpërndarësin e qumështit më pranë banesës, tregon se shpërndarësit ofrojnë përfitime të tjera për shoqërinë, pasi në të shkuarën kanë ndihmuar në raste krimesh apo zjarri. Krahas qumështit, që 90% e klientëve e kërkojnë në shishe, kompania ofron edhe mundësinë për shpërndarjen e bukës,përcjell Scan.

“Milk&More” u ble në vitin 2016 nga gjigandi i bulmetit “Muller”, i cili përfitoi nga shitjet në rënie për ta blerë me një çmim më të ulët. Por shtimi i klientëve së fundmi, veçanërisht tek familjet nën 35 vjeç, tregon se Muller ka pasur sy për biznes.

Shishet prej qelqi nuk e ndotin mjedisin, pasi janë 100% të riciklueshme dhe mund të ripërdoren pafundësisht. Ndërsa shishet plastike nuk janë të biodegradueshme, çka do të thotë se mund të qëndrojnë për rreth 1 mijë vjet, duke u kthyer në kanosje për gjallesat që jetojnë në det, të cilat mund t’i gëlltisin copëzat.