MPJ e Turqisë: SHBA mos të na vonojë në çështjen e FETO-s

"Në mbledhje kemi nënvizuar se SHBA-ja tashmë nuk duhet të na vonojë, veçanërisht në çështjen e FETO-s", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy

 Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, në lidhje me mbledhjen e grupit të punës së përbashkët Turqi-SHBA e cila u zhvillua më 13 korrik tha se SHBA-ja tashmë nuk duhet të vonohet në çështjen e FETO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Pasi ka rikujtuar se mbledhja e parë e grupit të përbashkët të punës të formuar mes Turqisë dhe SHBA-ve u mbajt në Ankara më 13 korrik, Aksoy ka bërë vlerësimin se në këtë takim kanë shkëmbyer pikëpamjet për luftën ndaj FETO-s dhe veçanërisht ekstradimin e kreut të FETO-s, Fethullah Gülen, çështjen për ish zv.drejtorin e përgjithshëm të Halkbank, Hakan Atilla, bashkëpunimin e drejtë mes dy vendeve si dhe për shtetasit e arrestuar amerikanë në Turqi.

Zëdhënësi Aksoy në fjalën e tij ka përdorur shprehjen “Në mbledhje kemi nënvizuar se SHBA-ja tashmë nuk duhet të na vonojë, veçanërisht në çështjen e FETO-s”

– “Sulmet në Siri minojnë punimet e zhvilluara në Astana dhe Gjenevë”

Ai ka vënë theksin se një numër i madh njerëzish të pafajshëm kanë humbur jetën dhe qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre për shkak të sulmeve të regjimit në Siri të cilat kanë në objektiv rajonet për uljen e tensioneve Dera dhe Kunejtra.

“Këto sulme i dënojmë dhe mallkojmë ashpër. Këto sulme minojnë punimet e zhvilluara në Astana dhe Gjenevë për uljen e sulmeve në terren dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën”, tha Aksoy.

Sipas tij, regjimi sirian po përpiqet të zgjidhë problemin me mënyra ushtarake. “Por, me këtë rrugë në vend nuk mund të formohet një dominim. Nuk dëshirojmë kurrë që të ripërsëritet edhe në Idlib skenari i përjetuar më parë në Gutën Lindore, në veri të Homsit dhe aktualisht në pjesën perëndimore të Sirisë”, tha Aksoy.

Po ashtu ai rikujtoi se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në bisedën e tij që zhvilloi më 14 korrik me presidentin rus Vladimir Putin e ka paralajmëruar se në rast se regjimi do të vendosë në objektiv Idlibin kjo mund të nënkuptohet si shkelje e marrëveshjes së Astanas.