MPB e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me EUROPOL-in

Ministri Veliu vuri në dukje se përmes kësaj marrëveshjeje, Policia e Kosovës do të trajtohet në mënyrë të barabartë, ashtu si policitë e shteteve të rajonit, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje të tilla...

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës sot ka nënshkruar marrëveshje me Organizatën Evropiane të Policisë (EUROPOL) për bashkëpunim në luftën kundër krimeve të rënda, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni morën pjesë Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së, Rashit Qalaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës si dhe të ftuar tjerë nga institucione vendore e ndërkombëtare.

Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu gjatë nënshkrimit theksoi se sot është një ditë tejet me rëndësi për Republikën e Kosovës dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, veçanërisht Policinë e Kosovës, marrë parasysh se me nënshkrimin e marrëveshjes me EUROPOL-in, kemi forcuar dhe avancuar kapacitetet tona në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar, terrorizmit dhe formave të tjera të krimit të rëndë, njoftojnë nga MPB e Kosovës.

Ai tha se deri më tani shkëmbimi i informacioneve me EUROPOL-in është kryer përmes “Deskut Suedez” në kuadër të EULEX-it, e që ka krijuar vonesa në shkëmbimin e informatave dhe kryerjen e operacioneve policore.

Ministri Veliu vuri në dukje se përmes kësaj marrëveshjeje, Policia e Kosovës do të trajtohet në mënyrë të barabartë, ashtu si policitë e shteteve të rajonit, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje të tilla.

Njëkohësisht, pritet që shumë shpejtë të dërgohet zyrtari ndërlidhës nga Policia e Kosovës në selinë qendrore të EUROPOL-it në Hagë.

Ministri Veliu falënderoi Apostolova-n dhe përmes saj, EUROPOL dhe të gjitha strukturat tjera të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare për mbështetjen në përmbylljen e këtij procesi mjaft të rëndësishëm, i cili forcon më tutje kriteret tashmë të plotësuara të liberalizimit të vizave si dhe obligimet që burojnë nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim.

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova përgëzoi autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës dhe EUROPOL-in për këtë arritje të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, drejtori Qalaj theksoi se e veçanta e kësaj marrëveshjeje është hapja rrugë e qasjes së Policisë së Kosovës në Kanalin e Sigurtë të Komunikimit (i ashtuquajturi SIENA Channel) të EUROPOL-it.

Me këtë marrëveshje Kosova barazohet me shtetet tjera jo-anëtare në BE.