Ministri turk Kurum takohet me presidentin e Shqipërisë

"Republika e Turqisë, ashtu sikurse deri më sot, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë pranë shtetit shqiptar", tha Kurum, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri

Ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit i Turqisë, Murat Kurum, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri, u takua me presidentin Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e zhvilluar në presidencë, të pranishëm ishin edhe ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe zyrtarë të tjerë.

Në fjalën e tij, Kurum fillimisht shprehu ngushëllime për viktimat e tërmetit të 26 nëntori dhe shtoi se vendi i tij që nga momenti i parë pas tërmetit u përpoq t’u shtrijë dorën e ndihmës qytetarëve shqiptarë përmes institucioneve turke si AFAD, UMKE, Gjysmëhënëna e Kuqe dhe ekipet e ministrisë të cilën e udhëheq.

Kurum tha se krahas tendave të dërguara në Shqipëri pas tërmetit, në zonën e prekur po ashtu janë bërë vlerësime të dëmeve në 600 banesa dhe ministrive përkatëse u është paraqitur raport.

Duke folur për 500 njësitë e banimit që do të ndërtohen në Shqipëri pas udhëzimit të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Kurum tha, “Ne i filluam përgatitjet për ndërtimin e 500 banesave, ndërtime tre ose katërkatëshe, krahas katit përdhes, të përshtatshme me kulturën tuaj, si dhe për ndërtimin e objekteve të tjera sociale. Shpresojmë të hedhim themelet deri në fund të këtij muaji dhe të mbarojmë punën brenda gjashtë muajve”, tha Kurum.

Ai tha se qëllimi i kësaj vizite është të diskutohet faza e vlerësimit të projektit, të nënshkruhet protokolli dhe të informohen zyrtarët.

“Dua të theksoj edhe një herë se Republika e Turqisë, ashtu sikurse deri më sot, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë pranë shtetit shqiptar”, u shpreh Kurum.

Ndërkaq, presidenti Meta shprehu falënderime për presidentin Erdoğan për interesimin e shfaqur.

Meta tha se ndihma e ofruar ishte e shpejtë, duke shtuar se Turqia bën punë shumë efikase për sa i përket menaxhimit të fatkeqësive.

Ai theksoi se historikisht janë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe vuri theksin mbi rëndësinë e ndarjes edhe të momenteve të fatkeqësive, edhe të atyre të gëzimit.

Më pas, ministri Kurum vizitoi edhe xhaminë Ethem Beu, e cila po restaurohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ku u informua nga zyrtarët.

Kurum zhvilloi takim edhe me ministren e Kulturës të Shqipërisë, Elva Margariti.