Mijëra qytetarë kosovarë në vit heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës

Sipas të dhënave, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5,000 mijë qytetarë. Trendi i lirimit nga nënshtetësia ka shënuar ngritje nga viti 2014.

Më shumë se pesë mijë qytetarë të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm në vitin 2019. Kjo shifër po konsiderohet shqetësuese, pasi që nënkupton që këta persona nuk e shohin Kosovën më si shtet të tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, qytetarët e Kosovës të cilët kanë hequr dorë nga nënshtetësia dhe kanë zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian për të marrë shtetësinë e re, janë detyruar të ndërmarrin këtë veprim ngase disa shtete nuk e lejojnë dyshtetësinë, transmeton Telegrafi.

“Gjate periudhës janar-dhjetor 2019, në Divizionin e Shtetësisë janë marrë 5461 vendime për lirim nga shtetësia. Prej tyre 5394 janë vendime pozitive, 67 vendime negative. Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës, janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene e të tjera”, thuhet në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Sipas të dhënave, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5,000 mijë qytetarë. Trendi i lirimit nga nënshtetësia ka shënuar ngritje nga viti 2014.

Të dhënat ndër vite të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë treguar për numër të madh të qytetarëve të cilët po e lëshojnë Kosovën. Në dekadën e fundit më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin.

Vendet ku qytetarët e Kosovës kanë emigruara më së shumti gjatë viteve 2010 – 2018 janë Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.

Për periudhën 2016-2018, sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.