Merret në pyetje Niko Peleshi, “pse urdhëroi shitjen e SiliconMix bllokuar nga AKU?”

Prokuroria e Tiranës ka hapur dosjen penale për shpërdorim detyre dhe të parin që ka thirrur për ta marrë në pyetje është Ish-ministri i Bujqësisë Niko Peleshi. Po si mbëriti Peleshi në derën e Prokurorisë duke rrezikuar që të merret edhe i pandehur?

Gjithçka lidhet me kimikatin “SiliconMix”. Top Channel në Qershor të vitit 2018 zbuloi skandalin se si një sasi e konsiderueshme e kimikatit “SiliconMix” ishte lejuar të shitej për fermerët me një urdhër të Niko Peleshit edhe pse Autoriteti Kombëtar  Ushqimit kishte bllokuar gjithë ngarkesën për shkelje të rënda në importin e kimikateve bujqësore.

Në vjeshtën e vitit 2017 një sasi e konsiderueshme e këtij kimikati u bllokua nga AKU. Në investigimin që bëri Top Channel, në doganë “Siliconmix” u zhdoganua si pleh, por në realitet fermerët e blinin vetëm si pesticid për vrasjen e insekteve. Por të gjithë e panë këtë, vetëm ish-ministri Peleshi nuk e pa dhe gjeti argumente të urdhëronte zhbllokimin e sasisë me një vlerë prej 300 mijë euro dhe shitjen e tij në treg.

Peleshi urdhëroi shitjen pa kërkuar më parë verifikim me anë të analizave në një kohë kur laboratori shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë deklaronte se nuk ishte pleh. Këto janë edhe detajet për të cilat ish-ministri është marrë në pyetje në Prokurori.