Ministrja e Jashtme e Kosovës thotë se Serbia po përdor mercenarët ruse për të shkaktuar tensione në veri të vendit në dhe rajonin e Ballkanit.
Qeveria e Kosovës ka prova që faktojnë se mercenarë rusë kanë qenë aktiv në territorin e vendit gjatë muajve të fundit. Deklarata është bërë nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një intervistë për median Izraelite.
Diplomatja e shtetit të Kosovës ka deklaruar se pas tensioneve në Veri dhe gjatë periudhës kur u ngritën barrikadat, pati prani të mercenarëve të grupit Vagner.
Sipas saj, Serbia dhe Rusia kanë qëllim që të destabilizojnë rajonin dhe me ane të skenarëve të dhunshëm të krijojnë tensione. Ministrja thotë se veç pranisë së mercenarëve, në veri të Kosovës është rritur ndjeshëm kontrabanda e armëve.
Si dëshmi të projekteve destabilizuese mes Serbisë dhe Rusisë, Gërvalla përmend edhe marrëveshjet ushtarake mes dy shteteve. Vitet e fundit Beogradi ka marrë disa avionë luftarakë nga Moska, si dhe janë nënshkruar një sërë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Nga ana tjetër, Serbia ka refuzuar që t’u bashkohet sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë vendosur kundër Rusisë për pushtimin në Ukrainë.