McAllister: Kosova dhe Serbia pa marrëveshje të ndërsjellë nuk munden në BE

David McAllister tha se BE është thjesht ndërmjetësues në dialog dhe se nuk drejton ndonjë skenar, por dëshiron që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister i ripërsëriti thirrjen Prishtinës për shfuqizimin e taksës doganore prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, ashtu që dialogu në Bruksel të jetë i suksesshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i Parlamentit Evropian, i kryesuar nga McAllister, i cili qëndroi dy ditë në Prishtinë, u takua me udhëheqjen politike të Kosovës, deputetët, opozitën, Listën Serbe dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, me të cilët ka biseduar për çështjet aktuale politike.

Eurodeputeti McAllister nga radhët e CDU-së, partia e kancelares gjermane Angela Merkel në konferencën për media tha se Kosova ka bërë progres në miratimin e reformave në sundimin e ligjit, ku ishte rishikuar Kodi për konfiskimin e pasurisë së paligjshme si dhe në reformën e administratës publike që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe modernizimin e institucioneve të Kosovës. Ai, megjithatë tha se miratimi i ligjit nuk është i mjaftueshëm dhe se zbatimi i ligjit është vendimtar.

Sipas tij, BE-ja mbështet Kosovën në të gjitha fushat e reformave dhe jep çdo vit nga 100 milionë euro në Kosovë, e cila për kokë banori më shumë i ndahet vetëm Palestinës. Ai theksoi se integrimi evropian nuk mund të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor, por pa marrëveshje reciproke Kosova dhe Serbia nuk do të mund të bashkohen me Bashkimin Evropian.

“Më lejoni të jem i qartë, as Kosova e as Serbia nuk do të bashkohet me BE-në, pa marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që zgjidh të gjitha çështjet e pazgjidhura, të cilat janë shumë, të drejtat e minoriteteve, të drejtat e pronës, personat e zhdukur, kthimin, rikthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre dhe shumë çështje të tjera. Për të zgjidhur të gjitha këto çështje ne duhet rinovuar dialogun, kemi një shans të vogël që na u është dhënë këtë vit në të cilin nuk ka zgjedhje të rregullta në Kosovë, dhe në Serbi dhe kemi një përfaqësuese të dedikuar për politikën e jashtme, Federica Mogherini, e cila punon me përkushtim për këtë çështje dhe unë theksoj me paanësi të plotë”, tha ai.

McAllister potencon se BE-ja është thjesht ndërmjetësuese në dialog dhe se nuk drejton ndonjë skenar, por dëshiron që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje dhe se në këtë drejtim këtë javë janë përsëritur thirrjet për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. Ai tha se rekomandon heqjen e taksës, sepse dëshiron të ulë përsëri palët në tryezë.

“Miqtë, partnerët e Kosovës, BE-ja dhe shtetet anëtare, Parlamenti Evropian, SHBA-të dhe të tjerat, të gjithë kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë vendimin për vendosjen e taksës, Pse? Sepse ndër të tjera kjo është një shkelje e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe shkelje e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit”, tha McAllister. Ai tha se BE-ja nuk beson se ky është vendimi i duhur dhe se pezullimi i taksës hapë rrugën përpara.

Sa i përket liberalizimit të vizave PE beson se Kosova ka plotësuar të gjitha 95 kriteret e kërkuara dhe se Kosova duhet të vazhdojë të ndërtojë besimin, përfshirë fushën e sundimit të ligjit, në mënyrë që të bind vendet që ende hezitojnë për të dhënë liberalizimin e vizave.

“Ka ende shumë për t’u bërë në Kosovë, por edhe shumë është bërë. Me vendimet themelore politike, në kuptimin e dialogut dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian e shohim të ardhmen evropiane për vendin tuaj”, tha McAllister.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai përsëriti se deklaratat publike lidhur me ndryshimin e mundshëm të kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, eurodeputeti nënvizoi se qëndrimi i PE-së është unik se qëllimi i rajonit nuk duhet të jenë shtetet etnikisht homogjene.