Mbi 3.300 palestinezë të vrarë gjatë qeverisjes së Netanyahut

Gjatë qeverisjes së Netanyahut, i konsideruar si një nga arkitektët kryesorë të presioneve dhe shkeljeve kundër palestinezëve, janë vrarë mbi 3.300 palestinezë dhe janë organizuar dy nga sulmet më të mëdha në Rripin e Gazës

Më shumë se 3.300 palestinezë, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, kanë rënë dëshmorë nga sulmet e forcave izraelite, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur, në periudhat kur kryeministri Benjamin Netanyahu, i shquar me idetë e tij ekstremiste, ka qeverisur Izraelin, raporton Anadolu Agency (AA).

Netanyahu, i konsideruar si një nga arkitektët kryesorë të presioneve dhe shkeljeve kundër palestinezëve, ka qenë kryeministër gjatë dy sulmeve makabre në Rripin e bllokuar të Gazës.

Mandatet e Netanyahut, të shndërruara në një ankth për palestinezët, kanë kaluar me gjakderdhje të shumta.

Sipas B’Tselem, organizatë izraelite e të drejtave të njeriut, të paktën 3.316 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gaza kanë rënë dëshmorë nga sulmet e forcave izraelitë nga viti 2009, që kur Netanyahu është duke ushtruar pa ndërprerje detyrën e kryeministrit.

Nga palestinezët e vrarë si pasojë e sulmeve izraelite, 775 kanë qenë fëmijë dhe 334 gra.

– Dy herë urdhër për sulm të madh në Gaza

Çmimin më të rëndë të sulmeve izraelite gjatë mandatit të Netanyahut e ka paguar Rripi i Gazës.

Netanyahu, i zgjedhur katër herë për të mbajtur postin e kryeministrit, është emri që dha urdhrin për dy sulmet e mëdha ndaj Rripit të Gazës, “Operacionit Shtylla e Mbrojtjes” në vitin 2012 dhe “Operacioni Linja e Mbrojtjes” në vitin 2014.

Këto dy sulme, që shkaktuan viktima dhe shkatërrime të mëdha në Gaza, janë ndër masakrat më të mëdha të fundit të Izraelit.

Sipas të dhënave të B’Tselem, 167 palestinezë humbën jetën nga sulmet e Izraelit në Gaza në vitin 2012.

– Viti 2014, më i përgjakshmi për Rripin e Gazës

Ndërkaq, vitin 2014 ishtë një ndër më të kobshmit për palestinezët e Gazës, pasi, sipas një raporti të OKB-së, 2.104 palestinezë ranë dëshmorë dhe mbi 11.000 u plagosën, përfshirë 495 fëmijë dhe 253 gra, si pasojë e sulmeve që filluan më 7 korrik dhe zgjatën 51 ditë.

Gjatë këtyre sulmeve, ushtria izraelite realizoi 6.000 sulme ajrore, 14.500 gjuajtje me tanke dhe mbi 35.000 gjuajtje me artileri.

Autoritetet palestineze kanë bërë të ditur se 28.366 shtëpi janë dëmtuar, prej të cilave 3.329 janë rrënuar në tërësi dhe 23.455 pjesërisht, ndërkohë që 65.000 palestinezë të Gazës mbetën pa shtëpi si pasojë e dëmeve të shkaktuara.

– Masakër para syve të botës

Forcat izraelite gjatë mandatit të Netanyahut realizuan masakër të re edhe gjatë këtij viti. Ushtria nuk ka ngurruar të përdorë forcë joproporcionale, përfshirë plumba të vërtetë, ndaj palestinezëve që mbajnë protesta paqësore në kufirin e Gazës nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” nga 30 marsi.

Protestuesit kërkojnë heqjen e bllokadës ilegale të Izraelit në Gaza që nga viti 2006 dhe kthimin e palestinezëve të dëbuar me forcë, ndërsa forcat izraelite para syve të botës masakrojnë palestinezët gjatë demonstratave që ndiqen drejtpërdrejt nga televizionet lokale.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 224 palestinezë kanë rënë dëshmorë gjatë protestave që nga 30 marsi, kurse mijëra të tjerë janë plagosur.

Në mesin e personave që kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve izraelite në kufirin e Gazës gjendeshin 42 fëmijë, katër gra, tre punonjës shëndetësorë dhe dy gazetarë.

Nga ana tjetër, 101 palestinezë janë detyruar t’i nënshtrohen amputimit të ndonjërës nga gjymturët për shkak të plagëve të shkaktuara me plumba të vërtetë nga forcat izraelite.

Në të njëjtën kohë, të paktën 14 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore ose gjuajteve me tanke të Izraelit në Gaza.

– Rritje e numrit të fanatikëve hebrenj që hyjnë në Aksa

Teksa vitin e kaluar 26.000 hebrenj fanatikë hynë në kompleksin e shenjtë Mesxhid al-Aksa, numri këtë vit është rritur në mbi 28 mijë.

Forcat izraelite këtë vit ua mbyllën dy herë hyrjen në Aksa muslimanëve.

– Palestinezëve nuk u njihet e drejta për të jetuar

Krahas masakrave, gjatë mandatit të Netanyahut është rritur edhe shtypja ndaj palestinezëve.

Qeveria izraelite palestinezëve nuk u jep leje për të bërë ndërtime, veçanërisht në Kudsin Lindor të okupuar, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdon të rrënojë disa shtëpi të palestinezëve me arsyetimin se janë ndërtuar pa leje.

Sipas një raporti të Zyrës për Koordinimin e Ndihmave Humanitare të OKB-së, Izraeli këtë vit ka rrënuar 133 shtëpi të palestinezëve në Kudsin Lindor me pretekstin se kanë qenë paleje.

Ndërkaq, numri i shtëpive të rrënuara në Kudsin Lindor me të njëjtin pretekst vitin e kaluar ishte 142, thuhej në raport.

Sikur të mos mjaftonte rrënimi i shtëpive të tyre, qeveria izraelite i ngarkon palestinezëve që u rrënohet shtëpia t’i paguajnë shpenzimet e rrënimit.

– Arrestime të rregullta gjatë natës

Një tjetër metodë e Izraelit për të ushtruar presion ndaj palestinezëve është arrestimi.

Thuajse çdo natë, forcat izraelite bëjnë bastisje nëpër shtëpi në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme. Në mesin e të arrestuarve ka edhe fëmijë dhe gra.

Sipas Komitetit të Familjeve të të Burgosurve në Kuds, forcat izraelite këtë vit kanë arrestuar 1.600 persona vetëm në Kuds, prej të cilëve një e katërta kanë qenë të mitur, ndërsa 30 prej tyre nën moshën 14-vjeçare.

Të dhënat zyrtare palestineze tregojnë se në burgjet izraelite mbahen 6.000 palestinezë, përfshirë 52 gra, 430 të burgosur nën masën e quajtur “burgim administrativ”, gjashtë deputetë dhe 270 të mitur.

– Ndërhyrje të rrepta gjatë protestave në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite intervenojnë me plumba të vërtetë dhe të gomës dhe gaz lotsjellës ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor që protestojnë veçnaërisht të premteve kundër Murit të Ndarjes (Murit të Turpit) dhe vendbanimeve kolone ilegale.

Gjatë këtyre intervenimeve, trupat izraelite nuk i kursejnë as gazetarët dhe punonjësit shëndetësorë palestinezë.

– Izraeli përshpejtoi zgjerimin e vendbanimeve ilegale

Gjersa në njërën anë rrit presionet mbi palestinezët, qeveria e Netanyahut në anën tjetër ka përshpejtuar zgjerimin e vendbanimeve kolone hebreje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Sipas një raporti të organizatës izraelite të të drejtave të njeriut “Peace Now”, në gjashtë muajt e parë të këtij vitin në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor filloi ndërtimi i 1073 banesa, krahasuar me 870 të tilla në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Aktualisht, në Kudsin Lindor gjenden 18 njësi ilegale banimi, kurse në Bregun Perëndimor afër 250. Në këto njësi banojnë afër 650.000 kolonë hebrenj, përfshirë 220.000 në Kudsin Lindor, dhe mbi 400.000 në Bregun Perëndimor.

Krahas kësaj, kolonët hebrenj, veçanërisht ata në Bregun Perëndimor, vështirësojnë jetën e palestinezëve që jetojnë nën okupim.

Në një rast në vitin 2015 në qytezën Duma në afërsi të Nablusit, kolonët hebrenj dogjën një shtëpi të palestinezëve, duke shkaktuar vdekjen e foshnjës 18 muajshe Ali Devabishe dhe duke lëndime të rënda të nënës, babait dhe fëmijës tjetër katërvjeçar, Ahmedit, të cilët jetonin në atë shtëpi. Pas sulmit, i cili shkaktoi indinjatë në opinionin palestinez dhe atë ndërkombëtar, babai Saad (31) dhe nëna Riham (28) humbën jetën në spitalin ku po trajtoheshin.

Kolonët hebrenj shpesh ndërmarrin sulme raciste ndaj palestinezëve, duke dëmtuar po ashtu tokat e bujqve palestinezë dhe duke dëmtuar kulturat e tyre.