Mbi 29 mijë hebrenj fanatikë hynë në Aksa në vitin 2018

29.801 hebrenj fanatikë hynë në Mesxhid al-Aksa në vitin 2018 dhe kështu shkelën nderin e faltores së shenjtë", tha Sheikh Azzam al-Khatib, kryetari i Autoriteteve të Vakëfeve Islame

Më shumë se 29.000 hebrenj fanatikë në vitin 2018 hynë në kompleksin e shenjtë Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të okupuar, njoftoi Autoriteti i Vakëfeve Islame të Kudsit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me leje të autoriteteve izraelite, 29.801 hebrenj fanatikë hynë në Mesxhid al-Aksa në vitin 2018 dhe kështu shkelën nderin e faltores së shenjtë”, tha në një deklaratë me shkrim Sheikh Azzam al-Khatib, kryetari i Autoriteteve të Vakëfeve Islame, institucion i Ministrisë së Vakëfeve, Vendeve të Shenjta dhe Çështjeve Islame të Jordanisë.

Shaikh Khatib tha se invazionet e fanatikëve hebrenj në vitin 2018 kanë shënuar rritje për 17 për qind krahasuar me vitin 2017, duke shtuar se të gjitha të dhënat dhe statistikat tregojnë për rritje të abuzimeve izraelite ndaj kompleksit të shenjtë.

“Të prekësh Mesxhid al-Aksanë do të thotë sulm i hapur ndaj besimit të të gjithë muslimanëve në botë dhe sulm ndaj Mbretit Abdullahu i Dytë, në mbrojtje të të cilit gjendet faltorja e shenjtë”, ka shtuar Sheikh Khatib.

Ndryshe, 25.630 hebrenj fanatikë hynë në Aksa në vitin 2017, duke shkelur nderin e xhamisë.

Nga ana tjetër, nga viti 2003, qeveria izraelite ka vendosur kufizime në moshë për hyrjen e muslimanëve në këtë kompleks, ndërkohë që kolonët hebrenj vazhdojnë të hyjnë në shoqërim të policisë.

Shumë organizata dhe politikanë izraelitë radikalë bëjnë thirrje që faltorja e shenjtë, ku besojnë se më parë gjendej një tempull hebre që është rrënuar dy herë, të hapet edhe për ritualet e tyre.

Nën Mesxhid al-Aksa, ku krahas Xhamisë së Kibles dhe Kupolës së Shkëmbit gjenden edhe muze, medrese dhe oborri i madh, hebrenjtë janë duke kryer gërmime me arsyetimin se aty “gjenden mbetjet e Tempullit të Sulejmanit”, duke pretenduar të drejtën për të kryer rite fetare në Aksa.