Librat e ngjyrosur nuk do paguhen nga prindërit

Ministria e Arsimit pranon problemet me tekstet

“Në përfundim te vitit nëse libri është në gjendje pune për vitin tjetër ai do të merret në dorëzim, në të kundërt nuk do të merret në dorëzim dhe prindi i fëmijës do të ngarkohet për të paguar vlerën monetare të këtij teksti”, tha Rozalba Merdani, përgjegjëse e sektorit të politikave dhe strategjive të arsimit, më 4 Shator 2018.

Një ditë pasi u faktua se plotësimi me ngjyra i disa librave i bën ata papërdorshëm për vitin që vjen, Ministria e Arsimit pranon se këto tekste nuk do konsiderohen të dëmtuara nga nxënësit dhe kësisoj prindërve nuk do u kërkohet të paguajnë. Në një reagim për Tevizionin Klan ministria thotë se ka konstatuar këtë problematike dhe se në fund të vitit mësimor do të bëjë seleksionimin e teksteve.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk ka synim që të trysnojë nxënësit apo të penalizojë prindërit nëse libri plotësohet, pasi kjo nismë pilot është në zbatim në vitin e parë të sajë. Në fund të vitit shkollor komisionet do të vendosin çfarë është e vlefshme nga tekstet për t’u ruajtur për vitin pasardhës do të ruhen, kush prej teksteve është i papërdorshëm nuk do të paguhet.”

Kërkesa e librit për ngjyrosje dhe kërkesa e qeverise për tu përdorur vetëm lapsi i plumbit vuri në dilemë mësuesit e klasave të para dhe prindërit e nxënësve.

Tekstet shkollore për klasat nga e para në të katërt u shpërndanë falas në fillim të vitit, për tu mbledhur në fund të vitit shkollor.

Burimi: Tv Klan