Kuvendi i Kosovës debatoi rreth dialogut me Serbinë

Kuvendi i Kosovës debatoi rreth dialogut me Serbinë

Kuvendi i Kosovës debatoi për dialogun me Serbinë para ndërprerjes që erdhi me marrjen e lajmit për vdekjen e Adem Demaçit, aktivistit të njohur për të drejtat e shqiptarëve nga Kosova në kohën e ish-Jugosllavisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në punimet e pasdites të seancës plenare të kuvendit, Visar Ymeri, përfaqësues i Partisë Social Demokrate, partia që ka kërkuar debatin për dialogun me Serbinë, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si gjithmonë, në dialogun me Serbinë hyn me nxitim, pa asnjë përgatitje dhe pa asnjë dialog politik.

Ymeri propozoi që kuvendi të miratojë një rezolutë me të cilën merr përsipër përgjegjësinë për dialogun dhe të miratojë platformën kombëtare të këtij dialogu.

Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, theksoi se fillimi i një procesi të ri të dialogut pa ndonjë përgatitje paraprake është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm. Hoti tha se çështjet e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut dhe se marrëdhëniet e mira dypalëshe janë parakusht për paqen në rajon dhe integrimin euro-atlantik.

Megjithatë, Hoti tha se LDK konsideron se Kosovën në dialog duhet ta përfaqësojnë institucionet shtetërore që kanë legjitimitet politik dhe se pakica parlamentare nuk mund ta udhëheqë dialogun. Ai gjithashtu theksoi se partia e tij është e gatshme të jetë pjesë aktive e dialogut, por vetëm pas marrjes së legjitimitetit përmes zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, kreu i grupit opozitar parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, vlerësoi se duhet t’i jepet fund mënyrës së deritanishme të dialogut me Serbinë, duke theksuar se duhet të ketë reciprocitet të plotë të të drejtave të serbëve në Kosovë me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në të njëjtën kohë, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u kërkoi aktorëve politikë të bashkohen dhe të arrijnë konsensus për dialogun. Ai tha se nuk mund të mohojë se dialogu me Serbinë ka sjellë hapa të caktuara në avancimin dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, si dhe në procesin e integrimit evropian.

Krasniqi theksoi se PDK ka qëndrim të qartë se Kuvendi i Kosovës duhet të mbikëqyrë dialogun dhe vendimin përfundimtar për të dhe se të gjithë duhet të punojnë për të zhvilluar një platformë të përbashkët dhe për të formuar një ekip të përbashkët negociator.

Vazhdimi i seancës së nderprerë në mënyrë shtesë do të përcaktohet.