KPK, shkarkohet Gentian Osmani, qëndron në detyrë Altin Dumani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit Gentian Osmani dhe të mbajë në detyrë Altin Dumanin. Osmani kishte kaluar procesin e vetting-ut në KPK, por vendimi u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ndërsa u konfirmua në detyrë Altin Dumani, i cili është favorit për drejtimin e SPAK...

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit Gentian Osmani. Prokurori kishte kaluar procesin e vetting-ut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por vendimi u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Trupi gjykues në KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj dhe me anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz vendosën ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Osmanit, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Në seancën e kaluar, gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisionieri Publik i qëndroi kërkesës për ndryshimin e vendimit nr.61, të KPK dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gentian Osmani.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, bazuar në të gjitha provat e depozituara prej tij gjatë procesit gjyqësor dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Ndonëse KPA hodhi poshtë disa prej ankimimeve të Komisionerit Publik, në fund ka qenë mungesa e mbulimeve të shpenzimeve për dy vite nga ana e Osmanit që solli vendimin për shkarkimin nga detyra.

Nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përveç Osmanit, janë të ankimuar edhe dy anëtarë të tjerë, Besnik Cami dhe Arben Dollapi.

Tashmë Kryeprokurorja Arta Marku duhet të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të prokurorisë për të zëvendësuar Gentian Osmanin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Gentian Osmani është anëtari i dytë i KLP që shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit pas apelimit të bërë nga Komisionieri Publik. Antoneta Sevdari, ish-prokurore në shkallën e parë, pas konfirmimit në detyrë nga KPK u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Shkarkimi i Sevdarit solli mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Prokurorëve prej nga ku u votua një anëtar tjetër, prokurori i Shkodrës, Vat Staka.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin Altin Dumani. Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli dhe me anëtarë Etleda Çiftja dhe Roland Ilia. Dumani është vlerësuar në të treja kriteret e vetting-ut, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.

Altin Dumani është prokuror i Apelit për Krimet e Rënda dhe në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u rendit i pari si prokuror i ardhshëm i SPAK. Ai shihet si kandidati favorit për drejtimin e SPAK, për shkak se është renditur i pari për aftësistë e larta profesionale, raporton Top Channel.

Sa i përket procesit të vetting-ut, ILDKPI raportoi se Dumani ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, nuk ka bërë fshehje dhe ka burime të ligjshme financiare. Edhe DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e Altin Dumanit për të vijuar detyrën.