“Kostumi” dhe gazetaria

Një miku im gazetar që ka punuar në këtë profesion në kohën e sistemit komunist dhe pas tij një ditë më tregoi një ndodhi të vërtetë mbi të cilën kam dëshirë të ngre pikërisht edhe shqetësimin tim sot.

Ai tregon për një kolegun e tij dhe thotë: “Në sistemin komunist shkruanim ç’të na thonin. Kostumin e priste sistemi, ndërsa ne vetëm qepjen bënim. Më tej pas rrëzimit të sistemit gjërat ndryshuan. Pak kohë pasi kishte hyrë sistemi i ri, në gazetën tonë lexoj një lajm “kostum” të qëndisur mirë. Tema ishte shumë e qëlluar dhe lajmi ishte bërë aq bukur sa që më mahniti. Mjeshtri i kostumit nuk kishte vendosur emër mbi të për shkak të frikës. E dija se kush e kishte shkruar. I vajta dhe e pyeta dhe nuk tha asnjë gjë, vetëm se buzëqeshi duke lënë të më kuptojë që këtë kostum të bukur e kishte bërë ai. Dy ditë më vonë në të njëjtën gazetë lexoj një shkrim ‘kostum’ po aq të bukur dhe madhështor sa kostumi paraprak. Pashë stilin e prerjes dhe qëndisjes dhe më vajti mendja tek i njëjti mjeshtër. I shkoj përsëri dhe e pyes, por këtë herë me insistim. Nuk rezistoi shumë dhe u shpreh lirshëm…. “Ditë më parë më erdhi një person dhe më kërkoi një ‘kostum’ “. Më dha aq shumë para saqë nuk rezistova dot dhe ja preva. Për shkak se në krye të lajmit nuk kisha vendosur emër, dy ditë më vonë më vjen pala e dëmtuar dhe më pyet nëse mund të presë një ‘kostum’ akoma më të bukur se të kundërshtarit. Nga ana etike nuk mund të pranoja, por kur pashë shumën e ofruar e pranova me kënaqësi. Mbase është e çuditshme, por unë këtë herë preva dy “kostume’. U habita dhe mendova me vete: “Mirë se erdhe në botën e re të kostumeve të gazetarisë”.

Në fakt kjo është një ndodhi e vërtetë që shërben si pasqyrë për të treguar në mënyrë të prerë se çfarë ndodh sot në gazetari. Kur shfleton sot gazetat e shkruara ose ato online duket qartë se tani s’ka më rëndësi nëse gazetari di ose jo të presë kostume. Madje nuk ka kufij, pret ç’të dojë, por tani jo ç’ti dojë zemra po ç’ti dojë pronari. Mjafton të jesh një rrobaqepës i mirë, sepse idetë dhe dizajnet e kostumeve i ke të gatshme nga pronari….

Tashmë gazetaria është thjesht ç’të thotë pronari pa patur asnjë pikë etike dhe dinjiteti. Gazetari sot nis një lajm duke vendosur titullin dhe duke e zbukuruar atë më pas, jo duke zhvilluar temën dhe të mendojë titullin në fund. Ndërkohë mungesa e etikës është padyshim helmi më i madh që i kanoset kësaj shoqërie. Por më e keqja nuk mbaron me kaq. Është akoma edhe më vrasëse kur shikon që kjo gjë tashmë është kthyer në një trend.

Psh.: Tashmë askush nuk e merr për sforco të dëgjojë fjalët e një pseudo gazetareje nga Kosova kur citon: ‘Mos u merakosni sepse tani bashkë me miqtë tanë … kemi gjetur një model kostumi shumë të bukur…’

Kjo nuk është asgjë pasi kostumet e shpifura të servirura bukur nga shumë pseudo rrobaqepës sot ngjallin ndasi, ndarje, urrejtje, mllef, etj…

E si mund të jetë fati i një shoqërie nëse një copë leckë e servirur përmes emrit të madh ‘modë’, serviret si një kostum bashkëkohor dhe fantastik duke injektuar helm në shoqëri vetëm duke menduar paratë e padronit apo disa klikime të “fryra”?

Nga Maliq Hasa/frekuenca.com