Nga Redi Shehu
Për hir të së vërtetës, Shqipëria kohët e fundit, të jep përceptimin e një qëndre ndërkombëtare të gjeopolitikës, ku tashmë prezenca e liderëve botërorë , është kthyer në një zakon, aq sa ecja e tyre në bulevardin kryesor të Tiranës, simbolizon imazhin me të cilin televizionet e huaja ngjyrosin kronika e tyre. Vetem pak vite me parë, një situate e tillë, do ishte në mendjen e më të guximshmit thjesht një fantazi, kurse sot, ajo rrezikon të kthehet në një rutinë vetpërmbushëse që na jep iluzionin e integrimit te shteteve evropiane brënda Shqipërisë. Që nga 6 dhjetori i 2022-shit me Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilin BE theu mitin dhe doli jashte kufinjte të saj në një shtet jo anëtar, e deri tek ardhja e Sekretarit të Shtetit Blinken, dhe së fundmi dy samitet njëri për Ukrainën dhe tjetri për paketën financiare të Ballkanit Perëndimor nga BE, e bënë Tiranën kryeqëndrën e rajonit përballë së cilës Beogradi ka filluar të duket si një periferi e bezdisshme urbane.
Ngjarje të tilla, sigurisht janë stacione të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët, të mësuar me të qënurit delja e zezë e opinionit botëror, bënë një hap të madh në kthimin e imazhit tonë në ngjarje pozitive. Po t’i shtojmë kësaj edhe suksesin e turizmit tek ne, atëhere nuk ndodhemi thjesht në një përjashtim nga rregulli, por në një normalizim të mrekullisë të cilën shumë e kishim ëndërruar. A është kjo meritë e kryeministrit Rama, apo është konteksti gjeopolitik i cili na ngriti në këtë gradë? Këtu pyetja bëhet e vështirë, lehtësohet vetëm nëse dalim në një pozicion të pacaktuar politik në përpjekje të objektivitetit të munguar. Mendoj se janë të dyja të përfshira.
Është konteksti gjeopolitik i cili e do që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë në qëndër të vëmendjes së rajonit për shkak se, krahas serbëve, përbëjnë një nga dy etnitë më të mëdha në Ballkanin Perëndimor.. Duke qenë se lidhja jonë me rusët është në mos zero, nën zero, si në aspektin kulturor, gjuhësor dhe historik, shqiptarët përbëjnë masën më të shëndetshme properëndimore, e cila ne formën e një dige demografike, natyrshëm bllokon çdo influencë apo përpjekje pentrimi rus në thellësi të rajonit. Ndërsa e dyta është, loja e aleancave të cilën Rama e ka kthyer në një serial politik, kju spikat aftësia për të bojatisur të gjithë miqtë ndërkombëtarë me ngjyrat që ata pëlqejnë më shumë. Një soj ekspozite shumëngjyrëshe e spërkatur me sprucin e nevojës për pushtet e luajtur me mjeshtri nga ana e tij.
Mirëpo në raste te tilla, kur ti si vend nuk ke se çfarë të ndikosh në gjeopolitikën e madhe, për shkak se je dënuar të jesh një vocërrak, mënyra më e mirë është të ofrosh shërbime me çmim të lirë, thënë ndryshe duke u kthyer në një “outlet gjeopolitik” për të zgjidhur dështimet e të mëdhenjve në tregun e politikës ndërkombëtare.Mjafton të kujtosh që ky outlet i quajtur Shqipëri, ua ka zgjidhur hallet e dështimeve shumë fuqive të mëdha. Që me armët kimike e pastaj masiviteti me iranianët e MEK, me kampin e refugjatëve në Lezhë dhe së fundmi, iniciativa për të prodhuar bashkarisht armatime me Ukrainën, kanë qenë i vetmi produkt me çmim të lirë në gjeopolitikën e madhe e cila i ka dhënë një fare pozicioni Shqipërisë. Pra, në këtë rast, konteksti dhe merita përmblidhen një një ekuacion fundin e të cilit askush nuk di ta zgjidhë.
Në një situatë të tillë gjeopolitike, sidomos kur tani Ukraina ndodhet e vetmuar përballë një ofensive ruse, ku shtetet evropiane hezitojnë të bashkohen rreth idesë së sanksioneve të reja ndaj Rusisë si dhe dështimit të këtyre të fundit për të furnizuar Zelenskin me një milion predha, qëndrimi i matur nga ana e qeverisë shqiptare është më se i këshilluar. Duhet të kuptojmë se ndodhemi në mesin e një stuhie të ndryshimit të epokave, të rënies së rendit ndërkombëtar unipolar liberal drejt një botë me rende bipolare ose multipolare. John Mearsheimer nje ndër profesorët më në zë dhe influent i kohëve të sotme në shkencat politike, profesor i Universitetit te Chicagos, thotë se një rend botëror liberal mund të ekzistojë vetëm nën një skenë unipolare botërore ku liberal demokracia është esenca e vendeve që përbëjnë këtë rend. Që një rend të ekzistojë ka nevojë për një organizim të institucioneve ndërkombëtare që ndihmojnë qeverisjen e shteteve anëtare. Rendi liberal botëror filloi me mbarimin e Luftës se Ftohte dhe nisi të degradohej per shkak të rezistencës nacionaliste ndaj institucioneve ndërkombëtare. Ngritja e Kinës dhe shfaqja e Rusisë së fortë, sollën fundin e epokës unipolare të SH.B.A-ve dhe po e çojnë botën drejt një rendi bipolar ose multipolar ku ka më shumë se një fuqi të madhe që menaxhon rendin botëror.
Kohë të tilla kërkojnë edhe një qëndrim më fleksibël në raport me interest tona kombëtare, si dhe e bëjnë emergjente rritjen e peshës tonë specifike si komb në raport me situatën. Fuqitë e mëdha për shkak të gravitacionit të madh që kanë, rrotullojnë rreth tyre në formën e satelitëve vendet e vogla duke i sjellë jo pak dëme atyre. Për këtë arsye rritja e peshës tonë specifike do të na bëjë që të mos flakemi tutje nga pesha e madhe e fuqive të mëdha. Bashkimi kombëtar duhet të jetë axhenda jonë kryesore në rritjen e peshës tonë duke ne bërë një njësi kombëtare më të madhe politike, ushtarake dhe ekonomike e cila nuk tronditet lehtë nga inercia e fuqive të mëdha. Në skenarin e një botë bipolare apo multipolare, ku ka më shumë se një superfuqi, qëndrimi ynë si vend duhet të jetë brënda një neutraliteti të zgjuar i cili mbron interesat tona konbëtare duke mos u bërë mish për top e një superfuqie në raport me tjetrën. Krahas kësaj, rritja e fuqisë dhe e prodhimit tonë ushtarak në funksion të mbrojtjes kombëtare, duhet të jetë hapi tjetër që pason. E thënë thjesht, politika e “outletit gjeopolitik” duhet të marrë fund duke forcuar identitetin tonë kombëtar si dhe aleancat e zgjuara gjeostrategjike.