Kosovë, ngrihet si shqetësim mungesa e infrastrukturës shkollore për fëmijët me aftësi të kufizuara

Kryetarja e komisionit, Duda Balje, tha se kur është hartuar Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, është shtruar si problematike çështja e qasjes në objektet shkollore nga fëmijët me aftësi të kufizuara

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka mbajtur seancë dëgjimore publike lidhur me ecurinë e nxjerrjes së akteve nënligjore të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligji ka hyrë në fuqi nga korriku i vitit 2020, ndërsa në këtë ligj janë paraparë të nxirren edhe 18 akte nënligjore që e plotësojnë atë.

Habit Hajredini, përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, tha se janë pothuajse në fazë përfundimtare të nxjerrjes së udhëzimeve administrative apo dhjetë akteve nënligjore. Ai tha se e gjithë puna e bërë në këtë drejtim është bërë në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe organizatat partnere.

Sipas Hajredinit, shumica nga këto akte nënligjore kërkojnë që të ketë komunikim mes institucioneve dhe Zyra e Kryeministrit ka marrë përsipër ta koordinojnë këtë para se të votohet në qeveri.

“Kemi vendosur që këto akte nënligjore t’i harmonizojmë mes tyre. Shumica e tyre që përkojnë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Arsimit, Shëndetësisë, ndërlidhen edhe me komuna. Kështu që, për të mos bërë një veprim të tillë ku secila ministri obligohet ta miratojë një akt nënligjor dhe pastaj të kenë probleme në zbatim, kemi vendosur që të gjitha këto akte nënligjore para se të miratohen në qeveri, të harmonizohen”, tha Hajredini.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje, tha se kur është hartuar ligji, është shtruar si problematike çështja e qasjes në objektet shkollore nga fëmijët me aftësi të kufizuara. Për këtë, Balje tha se kanë marrë disa herë kërkesa për përmirësim nga prindërit e fëmijëve të kategorive të tilla.

Balje e pyeti koordinatoren për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi, nëse kanë bërë diçka konkrete.

Jonuzi tha se ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve i merr në mbrojtje të gjithë fëmijët, përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuara.

Ajo tha se konteksti i arsimit provon ose kërkon që të sigurojë pjesëmarrje të plotë të fëmijëve në sistem dhe të ofrohen shërbime cilësore për të gjitha kategoritë, duke qenë të mbrojtur.

Jonuzi tha se kanë pasur obligim të nxjerrin një akt nënligjor që është edukimi për mbrojtjen e fëmijëve, i cili tha se është në proces.

“Akti nënligjor adreson konceptin e edukimit, shtrirjen e temës së edukimit ose të ndërgjegjësimit për mbrojtje të fëmijëve brenda sektorit të arsimit dhe qëllimi i tij është që nëpërmjet sektorit të arsimit të ndërgjegjësohen dhe edukohen të gjithë ata që punojnë me fëmijët edhe në sektorë të ndryshëm”, tha Jonuzi.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim mbrojtjen e fëmijës nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës së Kosovës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi. Po kështu, ligji synon të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore.