Marrëveshja e Ministrisë së Bujqësisë me USAID-in siguron 3.8 milionë euro për sektorin e bujqësisë në Kosovë.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Misioni i USAID-it në Kosovë, nënshkruan sot Marrëveshjen e Mirëbesimit për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në vend. Përmes kësaj marrëveshje, do të krijohet një program i veçantë për mbështetjen e zinxhirit të vlerave të frutave të imëta dhe bimëve mjekësore dhe aromatike në Kosovë, për implementimin e të cilit është siguruar një fond prej 3.8 milionë eurosh.
Bazuar në këtë marrëveshje, synohet zhvillimi ekonomik e bujqësor i vendit, rritja e prodhimit bujqësor e bashkë me këtë edhe rritja e të ardhurave të fermerëve, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, ka thënë se bashkëpunimi i ministrisë me partnerët ndërkombëtarë nga viti në vit ka dhënë dhe po jep rezultate shumë pozitive në zhvillimin dhe avancimin e sektorit bujqësor.
“Kjo marrëveshje e bashkëpunimit me USAID-in është shumë e rëndësishme, pasi që përmes saj kemi arritur të kemi një kontratë tre vjeçare, e cila garanton mbështetjen e prodhuesve tanë bujqësor që merren me kultivimin e mjedrave, manaferrave e bashkë me këtë synojmë që përveç rritjes së prodhimtarisë, ta shtojmë edhe cilësinë e këtyre prodhimeve. Po ashtu synojmë edhe të rrisim mundësinë e eksportit të këtyre prodhimeve në tregjet e huaja, si dhe të ndihmojmë në krijimin e kontratave afatgjate që garantojnë sigurinë e këtyre prodhimeve”, ka thënë ministri Rikalo.
Në anën tjetër, drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, theksoi se USAID-i do të vazhdojë që ta mbështesë sektorin e bujqësisë dhe në përgjithësi zhvillimin ekonomik në Kosovë. Përmes këtij partneriteti, ajo tha se kanë për qëllim të rrisin sasinë dhe cilësinë e prodhimit bujqësor, përcjell ATA.
“Tani po hymë në një partneritet të drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës, konkretisht me Ministrinë e Bujqësisë, që në afat të shkurtër synohet që të risim prodhimin dhe eksportin, mirëpo përtej kësaj ne e shohim partneritetin me Ministrinë e Bujqësisë si një mundësi që të ndihmojmë ministrit dhe ekipit të tij që të shënjestrojnë më mirë ato asete që i kanë dhe t’i shfrytëzojnë ato më mirë.”, tha ajo, duke shtuar se bujqësia është një pjesë shumë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik dhe kjo mund të bëjë ndryshime në jetën e qytetarëve të Kosovës.