Kosovë, ekonomia e vendit rrezikohet nga ligji i ri i pagave dhe taksa 100%

Ekonomia e Kosovës po lëkundet. Këtë e ka konfirmuar edhe Raporti për stabilitet financiar, nga Banka Qendrore e Kosovës, transmeton Koha.

Raporti paraqet disa rreziqe për ekonominë e Kosovës, gjatë 2019-s, raporton KTV.

“Prospektet për rritje mund të ndikohen negativisht nga rritja e rreziqeve të jashtme, si dhe atyre të brendshme siç janë: zgjerimi i vazhdueshëm i deficitit fiskal; rritja e shpenzimeve rrjedhëse të ndikuara nga presionet në skemat sociale dhe ligji i ri i pagave; rritja e çmimeve dhe vendimet për taksën 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në Raportin e stabilitetit ekonomik të BQK-së.

Ndërkaq, sipas njohësit të ekonomisë Lulzim Beqiri, me këto rritet edhe mundësia për një krizë financiare në vend.

Ai shton se buxhetin po e rëndojnë edhe disa vendime të paplanifikuara të Qeverisë.

Për opozitën, kjo tregon paaftësinë e qeverisë aktuale për t’i menaxhuar si duhet financat e shtetit.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë që këto shpenzime e rrezikojnë vendin.

Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës e mohojnë një mundësi të tillë.

Haki Shatri, këshilltar ekonomik i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë që çdo shpenzim po bëhet sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2019.

Për Qeverinë Haradinaj, edhe Zyra Kombëtare e Auditorit ka raportuar për gjetje që tregojnë për moskoordinim në raportet financiare nga ky institucion.