Kosovë, çdo ditë rreth pesë biznese mbyllin aktivitetin e tyre

Statistikat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se gjatë tërë vitit të kaluar janë shuar 1893 biznese, të cilat nëse zbërthehen, i bie se më shumë se pesë biznese shuhen brenda një dite.

Që nga viti i kaluar në Kosovë për çdo ditë rreth pesë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe kanë kaluar në statusin e bizneseve të shuara. Sipas përfaqësueseve të bizneseve, këto shifra janë shqetësuese dhe kërkojnë nga autoritetet kompetente që të mundohen të gjejnë arsyen e shuarjes së bizneseve.

Statistikat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se gjatë tërë vitit të kaluar janë shuar 1893 biznese, të cilat nëse zbërthehen, i bie se më shumë se pesë biznese shuhen brenda një dite. Kurse nga fillimi i këtij viti e deri më tani, janë shuar 787 biznese, apo më shumë se katër biznese në ditë.

Shumica e bizneseve të shuara në Kosovë i takojnë tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, industria përpunuese, prodhimtaria dhe ndërtimtaria.

Përderisa në Ministrinë e Tregtisë nuk kërkohet ndonjë arsye e veçantë për procedurat e shuarjes vullnetare të bizneseve, përfaqësues të komunitetit të biznesit, konsiderojnë se mes arsyeve për shuarjen e aktivitetit, afaristët vazhdimisht kanë përmendur rënien e fuqisë blerëse, rritjen e kostos për mirëmbajtje të biznesit, moszbatimin e ligjeve, konkurrencën dhe barrën fiskale.