Kosovë, arrestohen 5 persona për veprimtari kundër rendit kushtetues

Policia e Kosovës gjatë një operacioni në disa lokacione të Komunës së Gjilanit ka arrestuar pese persona të komunitetit serb nën dyshimin se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues

Policia e Kosovës sot gjatë një operacioni në disa lokacione të Komunës së Gjilanit ka arrestuar pesë persona të komunitetit serb nën dyshimin se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë me shkrim PK njofton se pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjykatës kompetente, është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshin disa lokacione të rajonit të Gjilanit.

“Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë PK ka demantuar disa media/portale serbe, të cilat kanë deklaruar se “po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së”.

Veseli: Kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve serbë të FSK-së është i papranueshëm

Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me rastin ka shkruar se sot institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit. Sipas tij, kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të FSK-së të komunitetit serb, është i papranueshëm.

Ai ka dënuar të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve të saj.

“Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit. Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave europiane dhe aspiratave për integrimin në BE”, thuhet në postimin e Veselit.

Sipas tij, institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë me shtetin serb dhe çdo provokim nga Serbia, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan.

Ndryshe, FSK ditëve të fundit është duke u përballur me dukurinë e kërkesave për largim nga FSK-ja të disa pjesëtarëve të komunitetit jo shumicë serb.

Sipas vlerësimeve të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës këto kërkesa për largim vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimshme që i janë bërë FSK-së, përkatësisht pjesëtarëve të komunitetit serb dhe janë tentim për të dëmtuar arritjet dhe zhvillimin e FSK-së.

Pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës të mbajtur javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se “Sulmet dhe shantazhet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së kanë bërë që këta të fundit, të kërkojnë lirim nga shërbimi në FSK”.