Kosovë, 3 viktima dhe 49 të infektuar me COVID-19 në 24 orë

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 1.494 mostra të dyshuara me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 3 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 2.213, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), edhe 49 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në gjithsej 106.538 raste.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 1.494 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 557.859 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 346 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 98.223 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.102.