Kosova dhe Serbia në luftë për INTERPOL

Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, më 31 janar të këtij viti dhe siç patën konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kjo kërkesë është pranuar nga INTERPOL-i.

Arritja e qëllimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Policore INTERPOL, do të jetë një sfidë mjaft e vështirë për vendin dhe institucionet e tij, vlerësojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe njohës të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, transmeton REL.

Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, më 31 janar të këtij viti dhe siç patën konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kjo kërkesë është pranuar nga INTERPOL-i.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Anton Berisha, thotë se çështja e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nuk është vetëm çështje politike, por më shumë teknike, e cila ndërlidhet me standardet që i kërkon Bashkimi Evropian, në raport me luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Njohësit e zhvillimeve në vend, vlerësojnë se i gjithë procesi për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL, do të jetë sfidë e madhe.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që në procesin e anëtarësimit në INTERPOL, Kosova do ta ketë një situatë edhe më të komplikuar sesa që e kishte në tentimin e kaluar, kur pati në rezultat të pafavorshëm.

Ai ka shtuar se në rastin më të keq, nëse Kosova nuk do të arrinte të anëtarësohet edhe kësaj radhe në INTERPOL, kjo do të ishte një ‘bumerang’ për të dhe për një gjë të tillë duhet të kërkohet përgjegjësi institucionale.

Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë që herët kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin të gjitha veprimet diplomatike për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Së fundmi, ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, gjatë një vizite në Rusi, të mërkurën ka thënë se anëtarësim në INTERPOL, është në kundërshtim me rregullat themelore të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikollai Patrushev, me të cilin u takua Stefanoviq, konfirmoi se vendi i tij do t’i ofrojë mbështetje Serbisë në takimin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të INTEPOL-it, për të parandaluar pranimin e Kosovës.

Zëvendësministri Berisha, thotë se në fazën e lobimit për anëtarësim në INTERPOL, Kosova duhet të përmbahet nga ekspozimet politike, që sipas tij, kanë ndodhur në tentimin e kaluar për anëtarësim. Sipas tij, Kosova, gjithashtu, do të kërkojë nga partnerët perëndimorë, sidomos te vendet e Bashkimit Evropian, që të bëjnë presion mbi Serbinë që çështjen pranimit të Kosovës në INTERPOL të mos e trajtojnë si çështje politike, por teknike.