Koment – Ballkani nё politikёn e sigurisё sё BE-së

Edhe pse e shikon si njё rajon pёr tё testuar politikёn e vet tё sigurisё, BE-ja ka nxjerrё shumё mёsime nga zhvillimet e dekadave tё fundit nё Ballkan.

-Nga Dr. Erhan TÜRBEDAR*

Politikat e përgjithshme të jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian lindën gjatë periudhës së viteve 90-të me luftërat qё ndodhёn në territoret e ish-Jugosllavisë. Nё ato vite rajoni i Ballkanit pothuajse shërbeu si një fushë testimi për politikёn e jashtme të Bashkimit Evropian. Në sajё të përvojave të fituara në këtë rajon Brukseli u bë më kompetent nё nismat qё ndёrmori mё vonё pёr paqe dhe stabilitet në rajonet e tjera tё botёs. Nga aspekti i Bashkimit Evropian përvojat e fituara në këtë rajon shërbejnë edhe si një instrument për të ndjekur politika më efektive në nivel global.

Nevoja për bashkëpunim e vendeve të Evropës Perëndimore në politikat e jashtme dhe tё mbrojtjes u bё mё e dukshme nga mesi i shekullit të 20-të. Pushtimi i Koresë së Jugut nga ana e Koresë së Veriut në vitin 1950 dhe aventurat e Stalinit në Evropën Qendrore ushqyen idetë për nevojën e integrimit të Evropës Perëndimore edhe në fushën e mbrojtjes. Mirëpo disa vende evropiane, me në krye Anglinë, nuk ishin të gatshme për kompromis të sovranitetit të tyre kombëtar dhe kjo bëri që të dështojnë iniciativat për formimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes dhe të Bashkimit Politik Evropian. Më pas evropianët u detyruan tё presin Traktatin e Maastricht-it për të intensifikuar bashkëpunimin në fushat e politikave të jashtme dhe të mbrojtjes. Traktati i Maastricht-it, i cila hyri në fuqi në vitin 1993, krijoi Bashkimin Evropian, tё përbërё nga 3 shtylla kryesore, nga tё cilat shtylla e dytё ishte Politika e Pёrbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë.

Luftërat në territoret e ish-Jugosllavisë gjatë viteve të 90-ta kanë qenë sfida e parë për Politikёn e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Megjithatë Bashkimi Evropian gjatë asaj periudhe nuk tregoi sukses të madh në Ballkan. Arsyeja kryesore e kësaj është se vendet anëtare të unionit nuk arritën të ndjekin politika produktive në rajon për shkak të interesave të tyre individuale. Për këtë arsye për zgjidhjen e krizës së Ballkanit pati nevojё për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ndërsa kjo gjendje dëmtoi imazhin e Bashkimit Evropian (BE). Sidoqoftë Bashkimi Evropian gjatë viteve të 90-ta u ndikua nga konfliktet e armatosura, krimi i organizuar dhe nga faktorë tё ngjashëm në Ballkan. Si rezultat i kësaj morën shtysë nismat për zhvillimin e politikës sё përbashkët të jashtme dhe sigurisë.

Nuk ishin vetëm luftërat në Ballkan ato prej të cilave nxori mësime Bashkimi Evropian. Unioni vazhdoi të jetë vazhdimisht i pranishëm në Ballkan edhe në periudhën e pasluftës në planin politik, ekonomik dhe atё ushtarak. Një numër i madh i misioneve policore dhe ushtarake ndërkombëtare qё u vendosën në Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, u vazhduan nga misionet e ndryshme të Bashkimit Evropian. Brukseli zyrtar me mbështetjen e NATO-s, në njërën anë bëri përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në vendet e Ballkanit, e në anën tjetër përkrahu edhe transformimet shoqërore në vendet e rajonit, gjithashtu e përfshiu tërë rajonin në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Të gjitha këto ishin një fushë për të fituar përvoja të rëndësishme në ndërtimin e politikës sё përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Autoritetet e Brukselit duke u bazuar në këtë përvojë besojnë se Bashkimi Evropian do të mund të japë kontribute të rëndësishme nё aspiratat pёr paqe dhe stabilitet në rajone të ndryshme.

Siç dihet Traktati i Lisbonës i vitit 2009 e forcoi edhe më shumë politikёn e përbashkët të jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian. Me formimin e Përfaqësisë së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikёn e Jashtme dhe Sigurinё, gjithashtu me krijimin e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), Brukseli shpreson qё zёri i tij tё dёgjohet më shumë në botë si aktor global. Mirëpo që Bashkimi Evropian ta dëshmojё besueshmërinë e tij si një aktor global, atij i duhet qё kёtё herё të jetë më i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor, që njihet edhe si oborri i parmё i unionit. Brukseli, i cili është i vetëdijshëm për këtë, vazhdon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është e qartë se politikat që ndjek Brukseli në rajon në përgjithësi kanë efekt shërues nё marrëdhëniet mes vendeve tё rajonit. Kështu që vizitat reciproke dhe projektet e përbashkëta që vijnё duke u intensifikuar paraqesin një shembull të mirë të ndryshimeve në dialogun mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mirëpo nga aspekti i Bashkimit Evropian në Ballkan ka ende probleme të rëndësishme politike që presin zgjidhje. Para së gjithash duhet vёnё nё jetё marrёveshja qё Maqedona, vend qё pёrpiqet tё hapё bisedimet e anёtarёsimit me Bashkimin Evropian, arriti me Greqinё pёr çёshtjen e emrit. Nga ana tjetёr duhet qё opozita maqedonase tё bindet pёr tё pranuar legjitimitetin e rezultatit tё referedumit qё u mbajt nё Maqedoni mё 30 shtator 2018 nё lidhje me kёtё çёshtje. Edhe sikur Bashkimi Evropian të arrijё ta zbatojё marrёveshjen e emrit ndërmjet mes Maqedonisë dhe Greqisë, duket si shumë vështirë që Brukseli t’u gjejë zgjidhje problemeve në Kosovë dhe Bosnjё-Hercegovinë.

*Ekspert i çështjeve të Ballkanit

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara