Kjo nuk është një protestë e studentëve

Nga: Fitim Zekthi

Është e famshme një poezi e Kostandin Kavafis për Neronin, perandorin që terrorizoi dhe zhyti në makth Romën. Neroni mendonte se ai kishte pushtet të pakufi dhe mund të bënte gjithçka për të kënaqur dëshirat e tij. Kavafis shkruan se, në një moment ai pyet orakullin për fatin e tij. Orakulli i thotë se ai duhet të kishte kujdes nga mosha 70 vjeçare; nga ajo moshë do t’i vinte e keqja. Duke menduar se kishte përpara 40 vite, derisa të bëhej 70 vjeç, Neroni e fjeti mendjen se pushteti nuk prekej nga asgjë dhe mund të flinte i qetë. Ndërkohë, në fshehtësi, plaku 70 vjeçar Galba po mblidhte ushtrinë në Spanjë. Shumë pak ditë më pas Neroni ra nga pushtetei dhe vrau veten.

Në momentin që njeriu mendon se ai është më i fortë, pikërisht atëherë ai është më i dobët.  Tekstet e shenjta janë të mbushura me këshilla dhe urdhëresa për modestinë, kujdesin, përunjësinë etj. Gjithë historia, jo vetëm politike (Neroni është vetëm një rast), e njerëzimit e ka treguar këtë. Shumica e tiranëve të mëdhenj kanë rënë nga pushteti në momentin që nuk e prisnin apo që mendonin se kishin gjithçka nën kontroll.

Edhe në Shqipëri, ndonëse kryeminsitri Edi Rama duket i fortë, ndonëse ai flet vazhdimisht se nuk ka kundërshtarë, ndonëse mediat dhe analistët afër tij dhe qeverisë thonë vazhdimisht se nuk ka opozitë, apo se Rama nuk rrëzohet etj, rënia e Ramës mund të jetë shumë afër. Gjatë këtyre viteve qeverisje Rama është kujdesur në mënyrë të paimagjinueshme që të përcjellë me anë të medias imazhin e një njeriu të fortë, që punon shumë, që po ndryshon Shqipërinë, që e duan të huajt, që e duan shqiptarët, që nuk e duan të paaftët, që nuk e do opozita e keqe etj.

Në të vërtetë, gjatë këtyre viteve ekonomia ka ecur keq, papunësia mbetet shumë e lartë,  shkollat dhe spitalet kanë ndryshuar pak ose aspak, jeta e përditshme e njerëzve është bërë shumë e vështirë. Kalimi i ditëve, muajve dhe viteve me një gjendje të tillë, ka prodhuar humbje të plotë shprese. Papunësia te të rinjtë është mbi 40%. Mijëra studentë apo të rinj që kanë mbaruar Universitetin, janë të zhytur në një gjendje dëshpërimi për jetët e tyre me të të cilat nuk dinë ç’të bëjnë. Emigrimi është plagë që ata po ia hapin vetes përditë, por kjo plagë mund t’i bëjë të ndjehen gjallë.

Qeveria vit pas viti ka rritur taksat, si ajo e të ardhurave, ka rritur akcizat për naftën apo cigaret, ka rritur taksën e qarkullimit të cilat në kushtet e papunësisë dhe varfërisë bëhen dërrmuese për familjet. Qeveria ka rritur tarifat e ujit dhe të dritave, ka rritur tarifat e pastrimit dhe të gjelbërimit si dhe ka rritur tarifat e Universitetit. Në një ekonomi që rritet, që prodhon vende pune, që rrit pagat etj., këto do të ishin të gjitha të diskutueshme, por në një ekonomi si kjo e jona, me papunësi te të rinjtë mbi 40%, me borxh publik të rritur me 1,7 miliardë euro në pesë vjet, me mbi 20% të popullsisë nën kufirin e varfërisë, kjo prodhon vetëm dëshpërim.

Thuajse çdo grup social është gati të shpërthejë. Fermerët nuk shesin dot prodhimet, kostot në inpute dhe mekanikë janë papërballueshmërisht të larta. Punëtorët e shërbimeve, të lokaleve dhe bareve janë nën presionin e rëndë të pagave të ulëta që marrin dhe të taksave, minatorët, punonjësit e fasonerive përballen jo vetëm me pagat e ulëta, por edhe me kushtet e punës, ndërtimi ka rënë dhe shumë njerëz që punojnë në ndërtim kanë humbur punën dhe pagën. Mësuesit apo mjekët janë përfshirë në kategorinë e njerëzve që kryesojnë largimet në emigrim nga dëshpërimi dhe mungesa e shpresës.

Studentët janë të gjithë fëmijë të këtyre grupeve dhe të këtyre familjeve që janë në dëshpërim.  Askush prej tyre nuk e di çdo të bëjë nesër, me pak përjashtime. Familjet e tyre mezi mbahen vetë, studentët në shumicë nuk kanë punë (vetëm 5% punojnë bareve dhe call center-ave). Përballë kësaj situate ata kanë tarifat e shkollës dhe tarifat e provimeve. Përballë kanë gjithashtu edhe rreth 2 miliardë euro që qeveria ka dhënë për konçesione, kanë edhe fyerjet që bën qeveria duke i quajtur ‘ngelësa’. Përballë është edhe arroganca e qeverisë që teksa jep konçesione ku 1 km rrugë kushton edhe 17 milionë euro (Thumanë- Kashar) ose 2 km kushtojnë 40 milionë euro (Unaza e re), flet për zhvillim, ulje papunësie, përmirësim të jetës së njerëzve etj.

Protesta e përkorë e studentëve është një akt kombëtar lirie sepse përfaqëson zërin e të gjithë atyre që vuajnë, mjerimin dhe papunësinë, përfaqëson të gjithë ata që ka kohë që duan të jenë në protestë, por nuk mund të koordinohen apo organizohen, përfaqëson një ndjesi të shumë njerëzve. Protesta e studentëve nuk është një protestë e studentëve ngelës për tarifat e provimeve. E para, aty janë të gjithë studentët. E dyta, tarifa e provimeve që vendosi Qeveria ishte vetëm shkëndija që e ndezi protestën.

Në Tunizi, shumë vite më parë, protesta nisi nga keqtrajtimi në treg i një shitësi, por njerëzit kishin kohë që ishin të dëshpëruar dhe të pashpresë. Regjimi ishte i fortë dhe dukej i pashkulshëm dhe ndëshkues. Protestat në Ukrainë nisën për shkak të mosfirmosjes së Marrëveshjes së Asociimit me BE-në nga Janukoviç, por ky ishte sebepi. Kriza ekonomike në Ukrainë ishte e jashtëzakonshme, me një papunësi te të rinjtë mbi 37% dhe me një qeverisje plotësisht autokratike.

Protestat e para pak ditëve në Francë nisën nga rritja e çmimit të karburantit, por gjithkush në shtypin francez thotë se çmimi i karburanteve ishte vetëm sebep. Arthur Goldhamer, një politolog, shkruante se në Francë ka zemërim me Macron-in, ka zemërim me përkeqësimin ekonomik, ka zemërim me mosmbajtjen e premtimeve.

Ndoshta protesta e studentëve mund të ndalet, qeveria mund ta përçajë, do të përpiqet ta njollosë, do t’u plotësojë disa kërkesa. Kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Mjerimi dhe mungesa e shpresës do të mbeten. Do të dalë një sebep tjetër. Goldhamer thotë se protesta të tilla nuk drejtohen kundër një politike të veçantë, apo kundër një akti, por kundër asaj që përfaqëson qeveria apo drejtuesi i saj. Në Tunizi ishin protesta kundër asaj që përfaqësonte Ben Ali, kundër mjerimit, mungesës së shpresës, fyerjes, korrupsionit etj. Në Ukrainë, gjithashtu, u protestua ndaj asaj që përfaqësonte Janukoviç, korrupsionin e thellë, varësinë nga Rusia, mjerimin, fyerjen dhe dhunën. Në Francë po protestohet ndaj asaj që përfaqëson Macron; ndaj faktit që ai shihet si përfaqësues i të pasurve, ndaj faktit që nuk i ka në konsideratë banorët e periferive, ata të fabrikave, njerëzit e zakonshëm, por po shërben si mekanizëm i establishmentit. Rreth 75 % e francezëve i mbështessin protestat, ndonëse në to marrin pjesë shumë pak.

Edhe te protesta e studentëve vihet re protesta ndaj asaj që përfaqëson Rama, njeriun që kujdeset për konçesionet, që ka rritur taksat, ka thelluar varfërinë, që ka rritur papunësinë, ka zhdukur shpresën etj. Kjo e bën protestën shumë më tepër se sa një protestë e studentëve.