Kapet 1 ton drogë në Greqi, supozohet se mund të ketë ardhur nga Shqipëria

Policia e shtetit ka mohuar pretendimet e mediave greke se sasia prej 1 ton drogë e kapur në një anije në Peleponez të ketë ardhur nga Shqipëria.

Ditën e sotme në mediat fqinje u raportua se një ngarkesë rreth 1 ton kanabis është kapur në ujërat e Peleponezit në një anije me vela (velierë) të quajtur “My Dream”. Për këtë ngjarje policia greke ka arrestuar dy shtetas ukrainas në bordin e anijes por në media u deklarua gjithashtu se droga kishte ardhur nga Shqipëria dhe kishte destinacion Turqinë me qëllim që të këmbehej me heroinë.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Policia e Shtetit e cila ka sqaruar se pas verifikimit të bërë “në regjistrat e PKK Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues Veleria “MY DREAM” i kapur me drogë dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje-dalje në Shqipëri”.

Gjithashtu në njoftimin e policisë shkruhet se gjatë kësaj periudhe nuk është konstatuar asnjë mjet i dyshimtë lundrues që të ketë lundruar në drejtim të Greqisë.

Sa i përket se veliera “My Dream” ka qenë në Sarandë për tu furnizuar me karburant, policia sqaron se në 15 gusht në Sarandë është ankoruar një Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord të cilët sipas policisë “kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare”. /Opinion.al