Kadri Veseli: Nuk kemi ende një pjesëmarrje të opozitës në dialogun me Serbinë

“Nevoja e akomodimit, apo mungesa e lidershipit ka krijuar një situatë ku nuk kemi ende një pjesëmarrje të opozitës në dialog", ka thënë kryeparlamentari i Kosovës Veseli pas një takimi me përfaqësuesit e subjekteve politike

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të subjekteve politike parlamentare, në funksion të arritjes së konsensusit lidhur me temën e dialogut të ardhshëm Kosovë-Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Kuvendi i Kosovës thuhet se kryeparlamentari Veseli gjatë adresimit të tij para mediave pas takimit, ka bërë të ditur se në takim kanë qenë pjesëmarrës vetëm përfaqësues të subjekteve politike në koalicionin qeveritar, edhe pse, sipas tij, “për takime të tilla ka bërë thirrje vet opozita”.

“Konsensusi i brendshëm ka qenë një traditë e mirë qe e kemi pasur dhe rezultatet janë historike. Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e pozitës. Kërkesa e sotme ka qenë më shumë kërkesë e opozitës, për çka duhet publikisht të falënderoj ambasadorin e Amerikës dhe përfaqësuesen e BE-së për iniciativat”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës është shprehur se “ulja në tavolinë me Serbinë është sakrificë dhe jo privilegj”, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës do të ketë rol vendimtar në procesin e dialogut.

“Me Serbinë duhet biseduar për hir të fëmijëve tanë dhe sakrificës për ta ruajtur këtë që e kemi arritur deri më tani. Kjo është obligim dhe përgjegjësi e gjithë spektrit politik. Mesazhi që duhej ta dërgonim do të ishte mesazhi i unitetit konsistent se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe sovraniteti është i pacenueshëm”, ka shtuar ai.

Veseli po ashtu ka nënvizuar se mungesa e lidershipit tek partitë opozitare ka krijuar një situatë ku nuk ka ende pjesëmarrje direkte të opozitës në dialog.

“Një pjesë e opozitës ka pranuar që të marrë pjesë në dialog. Nevoja e akomodimit, apo mungesa e lidershipit ka krijuar një situatë ku nuk kemi ende një pjesëmarrje të opozitës në dialog. Në emër të patriotizmit po krijohet një populizëm, me qëllim të përfitimit. Qëllimi i takimit ka qenë të krijohet formati dhe vijat për të cilat duhet të diskutohet në dialog”, ka bërë të ditur kryeparlamentari Veseli.