Izraeli ka përdorur 53 mijë tonë bomba dhe ka shkatërruar 52.500 shtëpi në sulmet ndaj Rripit të Gazës nën bllokadë të cilin e sulmon prej rreth 2.5 muajsh, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza informohet rreth shkatërrimit të ndodhur në Gaza në sulmet që Izraeli ka kryer që nga 7 tetori e deri më tani.
Theksohet se po kryhet gjenocid gjithëpërfshirës kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës dhe se forcat izraelite dhe të SHBA-së kanë bombarduar çdo metër katror të Rripit të Gazës. Në sulmet izraelite janë përdorur 53 mijë tonë bomba, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se në bombardime janë shembur plotësisht 52.500 shtëpi në të gjithë Rripin e Gazës.
Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës janë dëmtuar pjesërisht dhe gjithsej 306.500 shtëpi.
Si pasojë e bombardimeve të kryera nga Izraeli, janë shembur plotësisht 126 ndërtesa publike të Qeverisë në Rripin e Gazës, si dhe janë shembur plotësisht 112 xhami dhe pjesërisht 200 të tjera, bëhet e ditur në deklaratën ku vihet në dukje se gjatë sulmeve janë dëmtuar në masë të rëndësishme 3 kisha, kanë mbetur jashtë funksioni 90 shkolla dhe universitete dhe se 282 shkolla dhe universitete janë dëmtuar pjesërisht.
– 22 spitale të goditura nga Izraeli kanë mbetur jashtë shërbimi
Në sulmet izraelite kanë mbetur plotësisht jashtë shërbimi 22 spitale dhe 53 qendra shëndetësore dhe se janë shënjestruar 138 institucione shëndetësore.
Më tej në deklaratë thuhet se si pasojë e bombardimeve izraelite janë bërë të papërdorshme 102 ambulanca.
– Në sulmet izraelite janë vrarë 300 persona të personelit shëndetësor
Gjatë sulmeve izraelite janë vrarë 300 persona të personelit shëndetësor, 32 punonjës të Mbrojtjes Civile dhe 96 gazetarë, ndërsa janë arrestuar nga forcat izraelite 40 punonjës të shëndetësisë dhe 8 gazetarë.
Më tej thuhet se 7 mijë persona, shumica fëmijë dhe gra rezultojnë të zhdukur, persona këto të cilët ose ndodhen nën rrënoja ose nuk është mundur të merret informacion lidhur me fatin e tyre.
– Pushtimi i Gazës nga Izraeli pas 7 tetorit
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam më 7 tetor nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit me arsyen e “kundërpërgjigjes ndaj shkeljeve të vazhdueshme ndaj palestinezëve dhe vlerave të shenjta të tyre kryesisht ndaj Xhamisë Al-Aksa”.
Izraeli njoftoi se në sulmet më 7 tetor kanë humbur jetën 1.200 izraelitë dhe se janë plagosur 5.132 të tjerë.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë 19.453 palestinezë, përfshirë të paktën 8.000 fëmijë dhe 6.200 gra. Ndërsa njoftohet se nën rrënoja ndodhen mijëra të vdekur dhe se po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar institucionet arsimore dhe spitalet ku është strehuar popullata.
Ushtria izraelite ka njoftuar se që nga 7 tetori kur filloi sulmet e saj në Rripin e Gazës e deri më tani janë vrarë 461 ushtarë të saj, ku 129 prej tyre në procesin e pushtimit nga toka. Në “pauzën humanitare” 4-ditore të arritur më 24 nëntor dhe që u zgjat edhe për 3 ditë u liruan në mënyrë reciproke 81 pengje izraelite ndërsa nga burgjet izraelite u liruan 240 palestinezë.
Në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve të paligjshëm hebrenj në Bregun Perëndimor dhe Kudsin nën pushtim, kanë humbur jetën 301 palestinezë. Ndërkohë në konfliktin mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në vijën kufitare të Libanit, kanë humbur jetën 24 civilë libanezë, 109 anëtarë të Hezbollahut si dhe 5 civilë izraelitë dhe 6 ushtarë izraelitë.
Në Gazën nën bllokadë, 1.9 milion palestinezë të zhvendosur nën kërcënimin e armëve po luftojnë për të mbijetuar pa strehë, pa ushqim, pa ujë të pastër, pa ilaçe dhe pa shërbime shëndetësore.