Iran, së paku 40 të vdekur nga rrëmuja gjatë funeralit të Soleimanit

Pir Husein Kulivend, kryetari i Agjencisë së Ndihmës Humanitare të Iranit, tha se 213 persona po ashtu janë lënduar si pasojë e rrëmujës

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëmujës që ka ndodhur gjatë ceremonisë mortore për komandantin e vrarë iranian Qasem Soleimani në qytetin Kerman, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për Agejncinë e Lajmeve Fars, Pir Husein Kulivend, kryetari i Agjencisë së Ndihmës Humanitare të Iranit, tha se 213 persona po ashtu janë lënduar si pasojë e rrëmujës.

Për shkak të rrëmujës, autoritetet e kanë ndaluar ceremoninë mortore dhe e kanë shtyrë në një datë tjetër të përshtatshme.

Soleimani, kreu i forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, u vra të premten në një sulm amerikan me dron në Irak.

Vrasja e Soleimanit shkaktoi një përshkallëzim dramatik në tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të përkeqësuara që kur presidenti Donald Trump në vitin 2018 zgjodhi që ta tërhiqte vendin e tij në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore që fuqitë botërore e nënshkruan me Teheranin.

Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i cili vitin e kaluar i dha Soleimanit nderin më të lartë të vendit, u zotua për “hakmarrje të rëndë” në përgjigje të vrasjes së tij.

Pentagoni akuzoi Soleimanin për komplot të sulmit në ambasadën amerikane javën e kaluar, si dhe për planifikime për të kryer sulme të tjera ndaj diplomatëve amerikanë dhe anëtarëve stafit amerikan në Irak.