“International Maarif Schools of Kosova” organizon program festiv

Drejtori i shkollës International Maarif Schools of Kosova në Prizren, Ali Sedat Aslan duke uruar vitin e ri akademik, rikujtoi se një vit më parë viti akademik për këtë shkollë filloi me 91 nxënës ndërsa tani ka 241 nxënës

International Maarif Schools of Kosova sot në Prizren organizoi një program festiv me rastin e fillimit të vitit shkollor 2018-2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të këtij programi u intonuan himnet kombëtare të Turqisë dhe Kosovës. Me këtë rast u shfaq videoja prezantuese e shkollës ndërsa u bë prezantimi i stafit të mësimdhënësve të shkollës International Maarif Schools of Kosova në Prizren. Gjithashtu u recituan poezi dhe u kënduan këngë në gjuhën shqipe dhe atë turke.

Në një fjalë rasti drejtori i shkollës International Maarif Schools of Kosova në Prizren, Ali Sedat Aslan duke uruar vitin e ri akademik, rikujtoi se një vit më parë viti akademik për këtë shkollë filloi me 91 nxënës ndërsa tani ka 241 nxënës. “Vitin e kaluar janë pranuar nxënës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, kurse tani fillojmë edhe me shkollën e mesme. Ne kemi parë një interesim të madh të prindërve”, tha ai.

Sipas tij, familja e Maarif-it dëshiron që këtu të përgatiten liderët dhe lideret e së ardhmes. “Për këtë nuk privohemi dhe nuk kursehemi nga asnjë sakrificë qoftë material apo shpirtëror. Të gjitha hapësirat në këtë shkollë janë të dizajnuara sipas standardeve ndërkombëtare. Kemi një staf arsimor i cili është i fuqishëm dhe dinamik”, tha Aslan.

Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit Jashtë Shtetit nga Ministria e Arsmit të Turqisë, Bülent Çiftçi rikujtoi se Fondacioni Maarif i realizon aktivitetet në më shumë se 140 shkolla në 40 shtete të botës ku arsimohen më shumë se 15 mijë nxënës. Ai tha se edhe në Kosovë qëllimi i tyre është që të ofrojnë zhvillimet më të fundit të fushës së arsimit në botë. “Edhe pse është vetëm viti i dytë per në, mund të themi se fëmijët tuaj po shkollohen në shkollën më të mirë të Prizrenit”, theksoi ai.

Konsullja e Republikës së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, tha se shkollat Maarif që nga viti 2017 kanë marrë përsipër një përgjegjësi të madhe, atë në fushën e arsimit, e cila sipas saj, është e ardhmja e një shoqërie. Ajo shtoi se shteti i Turqisë është pas këtyre shkollave në çdo formë.

Në program të pranishëm ishin edhe deputeti Fikrim Damka, i cili tha se rritja e numrit të nxënësve tregon besimin e popullit të Kosovës për këto shkolla dhe për shtetin e Turqisë si dhe deputeti Zafir Berisha i cili falënderoi shtetin e Turqisë për angazhimin dhe ndihmën e madhe që i është ofruar Kosovës si shtet mik. Pos tyre në program morën pjesë edhe koordinatori i Fondacionit Maarif në Kosovë, Mesut Özbaysar, përfaqësues të KFOR-it Turk në Kosovë, stafit shkollor, nxënësit dhe prindërit e tyre.