Inter i “çmendur”, përmbyset Tottenhami, Messi show në suksesin e Barçës

Messi i magjishëm, Barcelona shpartallon PSV-në. “Furrnalta” zikaltër shkrin Totenhemin, çfarë epilogu në San Siro!

Ironi e fatit apo rastësi e embël. Ashtu siç ndodhi në përmbysjen e javës së fundit ndaj Lazios sezonin e kaluar në ndeshjen që riktheu Interin në Champions League, ashtu ndodhi edhe në sfidën debutuese në grupin B të Championsit ndaj Tottenham-it. Golat e Mauro Icardit dhe Matias Vecinos përmbysën një sfidë që deri 5 minuta para fundit të kohës së rregullt dukej e humbur për zikaltrit. Në San Siro zikaltrit e Spallettit i dhanë një grusht krizës duke e nisur me një përmbysje të çmendur aventurën në Champions League. Interi mposhti 2-1 Tottenhamin që kishte kaluar në avantazh i pari me Harry Kane. Më shumë se 70 mijë tifozët e pranishëm në San Siro u bënë me zemër por në fund u larguan më të lumtur se kurrë nga “La Scala” e futbollit pasi Interi i tyre u rikthye ashtu siç i ka hije në kompeticionin më të rëndësishëm për klube. Grupin B megjithatë e kryeson Barcelona që në Camp Nou mposhti lehtësisht me shifrat 4-0 holandezët e PSV Eindhoven. Shkëlqeu Lionel Messi i cili realizoi një tregolësh dhe u ngjit në kuotën e 103 finalizimeve në Champions, ndërsa realizoi dhe golin e parë të këtij edicioni. Mbrëmjen magjike të Barçës e kompletoi Dembele, ndërsa Umtiti u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve dhe do të humbasë sfidën e ardhshme ndaj Tottenhamit në Londër.