Institucionet urëlidhëse të Turqisë – Projektet e Departamentit për Turqit Jashtë Shtetit

Themeluar më datë 6 prill 2010, YTB-ja ka si mision koordinimin e projekteve lidhur me qytetarët turq rezidentë jashtë shtetit, komunitetet e afrishme dhe studentët ndërkombëtarë me bursë që vazhdojnë arsimin e lartë apo pasuniversitar në Turqi.

Në rubrikën tonë “Institucionet urëlidhëse të Turqisë”, kemi tashmë 3 javë që prezantojmë Departamentin për Turqit Jashtë Shtetit dhe Komunitetet e Afrishme (YTB).

Duke filluar nga kjo javë, do të përpiqemi t’ju japim shkurtimisht disa informacione në lidhje me programin “Bursat e Turqisë”, një prej projekteve të shumta të YTB-së dhe sigurisht ai që zë vendin më të veçantë.

Startuar në vitin 2012, programi “Bursat e Turqisë” siguron bursa për studentët dhe njëherësh mundëson vendosjen e tyre nëpër universitete. Kjo veçori e bën atë disi ndryshe nga programet e tjera të bursave anembanë botës.

Po të shohim të dhënat statistikore të vitit 2018, vërejmë se 138.000 kandidatë nga 164 shtete kanë aplikuar për të vazhduar arsimin e lartë në Turqi dhe se kjo shifër rritet çdo vit e më shumë, sepse ata që kthehen në vendlindje pasi diplomohen, ndajnë me bashkatdhetarët e tyre përshtypjet pozitive që kanë fituar rreth Turqisë dhe arsimit të lartë në Turqi.

Zhvillimi i madh që Turqia ka shënuar prej fillimit të mijëvjeçarit të dytë e këtej në çdo fushë të jetës, nga politika e jashtme te kultura dhe nga progresi ekonomik te politikat sociale, është pasqyruar gjithashtu në fushën e arsimit ndërkombëtar. Turqia ka nisur të ndërmarrë hapa të rëndësishme edhe në këtë drejtim, shkruan TRT.

Krahas bursës studentore të përmuajshme, në kuadër të programit “Bursat e Turqisë” ofrohen po ashtu biletat vajtje-ardhje me avion, sigurimi shëndetësor i përgjithshëm, tarifa e universitetit, e konviktit dhe ajo e kursit të gjuhës turke. Përveç këtyre, studentët mund të përfitojnë edhe nga aktivitete apo programe të ndryshme akademike, sociale, kulturore dhe sportive përgjatë qëndrimit të tyre në Turqi.