Hashim Thaçi ngushëllon familjet e viktimave në Turqi

“Mendimet tona janë me njerëzit dhe Qeverinë e Turqisë”, shkroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka dërguar ngushëllime familjeve të viktimave nga ortekët e borës dhe aksidentit me avion në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një reagim në rrjete sociale, Thaçi është shprehur “I pikëlluar thellë nga humbja e jetës në ortekun e borës Bahçesaray dhe aksidenti i aeroplanit në Stamboll”.

“Mendimet tona janë me njerëzit dhe Qeverinë e Turqisë. Ngushëllime familjeve të viktimave. Shërim sa më të shpejtë për të dëmtuarit”, ka shkruar Thaçi.

Kujtojmë se të paktën 41 persona humbën jetën si pasojë e e dy ortekëve në Van në lindje të Turqisë.

Nga ana tjetër, një avion i një kompanie private ajrore rrëshqiti jashtë pistës në aeroportin “Sabiha Gokcen” të Stambollit, ku 3 persona humbën jetën dhe më shumë se 190 të tjerë u plagosën.