Hashim Thaçi: Kosova është gati për dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur se vendimi i Qeverisë për të hequr masat reciproke kundër Serbisë solli reagime pozitive nga partnerët ndërkombëtarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur mirënjohje ndaj Qeverisë së Kosovës për “heqjen e çdo preteksti që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një konference për media, Thaçi tha se Kosova e ka të qartë çfarë kërkon në dialog, duke theksuar se “kërkon njohje reciproke dhe përshpejtimin e rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”.

Presidenti Thaçi u shpreh se në këtë drejtim “duhet të lëvizim sa më shpejtë në mënyrë që të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE)”.

“Kosova është gati. Do të punojmë që të jemi sa më unik dhe të bashkuar që ta plotësojmë njëri-tjetrin. Vetëm bashkëveprimi dhe koordinimi garanton sukses të plotë. Ky unitet dhe bashkëveprim i brendshëm lehtëson edhe punën e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë”, theksoi Thaçi.

Thaçi tha se Kosova do të punojë për të zbatuar marrëveshjen e arritur në fillim të këtij viti përmes të dërguarit të SHBA-së, Richard Grenel, për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, për autostradën që lidhë Kosovën me Serbinë si dhe për linjat hekurudhore Kosovë-Serbi.

Sipas Thaçit, vendimi i Qeverisë për të hequr masat reciproke kundër Serbisë solli reagime pozitive nga partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se SHBA si aleati më i rëndësishëm i Kosovës, menjëherë zhbllokoi fondin për Kosovën nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Qeveria Hoti në mbledhjen e saj më 6 qershor vendosi për shfuqizimin e vendimit përmes së cilit është vendosur masa e reciprocitetit tregtar me Serbinë.

Nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ekzekutivi shfuqizoi vendimet e qeverisë së kaluar për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë.