Hashim Thaçi: Komuniteti turk në Kosovë është urë lidhëse me Turqinë

“Komuniteti turk është urë lidhëse me Turqinë, si shtet mik i Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi, në urimin e tij për festën e qytetarëve të komunitetit turk të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar festën e qytetarëve të komunitetit turk të Kosovës të njohur si Dita e Turqve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një urimi në rrjetet sociale, presidenti Thaçi ka thënë se komuniteti turk në Kosovë është urë lidhëse me Turqinë, si shtet mik i Kosovës.

“Sot në Kosovë shënohet Dita e Turqve, festë e qytetarëve të komunitetit turk. Ky komunitet i respektuar është pjesë e të gjitha institucioneve të shtetit tonë, si në nivel të institucioneve lokale, ashtu edhe në nivel qendror. Po ashtu, komuniteti turk është urë lidhëse me Turqinë, si shtet mik i Kosovës”, shkroi Thaçi.

Ai shtoi se shteti i Kosovës përmes Kushtetutës garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve, si pasuri etnike për vendin.

Komuniteti turk në Kosovë është i përqendruar kryesisht në komunat e Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit, Prishtinës e Istogut, ndërsa sipas llogaritjes së fundit të popullsisë në Kosovë, minoriteti turk në Kosovë përbën 0.4 për qind të popullsisë.