Gramoz Ruçi për protestat e studentëve: Kërkohet zgjidhje përmes rrugës së dialogut

"Duhet përshëndetur që është protesta e parë pa politikë brenda, ku studentët nuk pranojnë asnjë parti politike që t’i instrumentalizojë pavarësisht nga përpjekjet që i bëjnë subjektet e ndryshme politike për të përfituar kapitale politike”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, lidhur me protestat e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri, ka përshëndetur protestat duke i quajtur “protesta të para pa politike brenda”, si dhe ka deklarur se qeveria shqiptare kërkon që ta zgjidh këtë çështje nëpërmjet rrugës së dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).

Studentët e universiteteve publike protestojnë që nga 5 dhjetori dhe kërkojnë përgjysmimin e tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, si dhe përfaqësim në bordet drejtuese të universiteteve.

Ruçi, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, pas takimit me kryeparlamentarin e Maqedonisë, Talat Xhaferi, theksoi se sistemi që kanë zgjedhur është sistemi i lirisë dhe se protestat e studentëve janë pjesë të kësaj lirie.

“Duhet përshëndetur që është protesta e parë pa politikë brenda, ku studentët nuk pranojnë asnjë parti politike që t’i instrumentalizojë pavarësisht nga përpjekjet që i bëjnë subjektet e ndryshme politike për të përfituar kapitale politike”, u shpreh Ruçi.

Kryeparlamentari i Shqipërisë po ashtu theksoi se këto protesta janë civile dhe pa asnjë akt dhune deri në këto momente, gjë për të cilën tha se flet për një emancipim të jetës politike dhe demokratike në Shqipëri, me në krye të këtij emancipimi rininë, kryesisht atë studentore.

“Unë përgëzoj që qeveria shqiptare, kërkon që ta zgjidh këtë çështje nëpërmjet rrugës së dialogut”, theksoi Ruçi, duke shtuar më tej se, “Nëpërmjet kësaj rruge të dialogut të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, që nga Parlamenti i Shqipërisë deri te qeveria shqiptare, me qetësi, urtësi dhe maturi do t’i shikoj, do t’i analizojë dhe do t’i zgjidh të gjitha problemet. Kjo është rruga që kushtëzohemi nga sistemi nga i cili jemi zgjedhur”.

Protesta e studentëve ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme në Tiranë. Ata gjatë ditëve të protestave vazhdimisht kanë refuzuar thirrjet e Qeverisë së Shqipërisë për të biseduar në lidhje me kërkesat e tyre.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi qëndron për vizitë njëditore në Maqedoni. Ai takoi homologun e tij të Maqedonisë, Talat Xhaferi, si dhe mbajti fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, ndërsa pasdite do të pritet edhe nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov.