FlyErnest operon me vetëm një avion, 7 fluturime në ditë

Avioni i vetëm i mbetur në përdorim është gjithashtu ai më i vjetri, me mbi 19 vite përdorim.

Faqja e specializuar në trafikun ajror, “Aerotime”, bazuar mbi të dhënat e “Flightradar24”, raportin se, kompania italiane “Fly Ernest” tashmë po operon vetëm me një avion. Tre avionët e tjerë që kishte marrë në përdorim, kompania i ka dërguar mbrapsht. Më saktësisht, bëhet fjalë për 3 avionë Airbus A320. Njëri prej tyre, EI-GCC i marrë në përdorim nga kompania franceze, Macquire AirFinance  është dërguar në datën 4 janar në aeroportin Capodichino të Napolit.

Avioni tjetër, EI-LIN, në pronësi të Blackbird Capital është stacionuar tashmë në Aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit jordanez, që prej datës 3 janar, ndërsa EI-LIX është në tokë në pistën e Tarbes në Francë që prej datës 6 janar. Sipas “Planespotters” të tre këta avionë janë tashmë të stacionuar dhe jo aktivë. Kjo bën që kompania të ketë në përdorim vetëm një avion, Airbus319, EI-FVG, e që ka qenë shumë aktiv gjatë ditëve të fundit.

Madje, më datë 7 janar, ky avion ka bërë 7 fluturime, asnjë prej të cilëve, sipas orarit, thotë “Aerotime”. Ky avion po udhëton edhe drejt Shqipërisë, edhe drejt Ukrainës, nga Italia, dhe anasjelltas. Avioni i vetëm i mbetur në përdorim është gjithashtu ai më i vjetri, me mbi 19 vite përdorim. Duket se është pikërisht kjo, arsyeja e anulimit të shumë fluturimeve të kompanisë, duke filluar prej datës 4 janar.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Italisë do të shprehet në lidhje me revokimin e licencës ndaj kompanisë në fjalë më datë 13 Janar, në bazë të dokumentacionit dhe garancive që do të ofrojë kompania. Por, largimi i flotës së avionëve dhe ngjarjet më të fundit duket se sinjalizojnë një fund të hidhur.