Fifty shades of Xhisela

Pra, me një fjalë, intimja dhe privatja janë sot më shumë se kurrë publike dhe publikja sot është kthyer në lajtmotivin kryesor të privates tonë. Kështu, Xhisiela përfaqësoi pikërisht ngjarjen e fundit e cila zaptoi privatet tona për t’iu kthyer gjykimit publik me anë të rrjeteve sociale që jane transformuar në Colosseume dixhitale ku ngritja lart ose poshtë e gishtit përfaqëson edhe ekzekutimin ose jo elektronik të subjektit të radhës.

Nga Redi Shehu

Më në fund, në ekranet e televizioneve kryesore u shfaq Xhisela, duke na dhënë të gjithëve mundësinë për të bërë lidhjen e figurës me ngjarjen, pas atij cikloni mediatik, i cili zuri gjithë hapësirën e komunikimit publik.

 

Jo vetëm kaq, por zuri edhe hapësirën e komunikimit individual të njerëzve me veten dhe me familjet e tyre. Në fakt, është karakteristikë e kohës ku jetojmë, që publikja tashmë nuk është e ndarë si me thikë me privaten, por dhunshëm ose jo, ajo penetron në privaten e secilit duke çmagjepsur individin e sotëm nga bredhja me vetveten, drejt ngjarjeve apo personave, të cilët, pak ose aspak, kanë të bëjnë me ta.

Pra, me një fjalë, intimja dhe privatja janë sot më shumë se kurrë publike dhe publikja sot është kthyer në lajtmotivin kryesor të privates sonë. Kjo, brenda një përpjekjeje që çon suksesshëm drejt shpërqendrimit masiv ndaj ideve apo synimeve të rëndësishme që njeriu duhet të ketë në jetë. Kështu, Xhisela përfaqësoi pikërisht ngjarjen e fundit, e cila zaptoi privatet tona për t’iu kthyer gjykimit publik me anë të rrjeteve sociale që janë transformuar në Colosseume dixhitale, ku ngritja lart ose poshtë e gishtit përfaqëson edhe ekzekutimin ose jo elektronik të subjektit të radhës.

Kjo ngjarje në thelbin e vet ka tri kolona kryesore ku ajo vërtitet. Ato janë: Xhisela, shteti dhe populli. Të tri këto kolona janë të dyzuara në vetvete, duke e bërë ndarjen me të komplikuar. Pra, kemi shtetin të dyzuar në qëndrimin e pozitës dhe opozitës për ngjarjen, popullin e dyzuar për qëndrimin, i cili ndahet në popullin e majtë dhe popullin e djathtë për ndodhinë dhe për çdo ndodhi, si dhe Xhiselën, e cila nuk na shfaqet vetëm me dy hije. Nga intervistat e fundit të saj mund të zbulojmë dhjetëra hije, të cilat vërtiten rreth figurës qendrore të kësaj ngjarjeje, midis frikës dhe histerisë, kufijtë e të cilave është vështirë të ndahen kollaj.

Aty ku ka frikë, nuk ka histeri dhe aty ku ka histeri, nuk ka frikë. Vështir të gjendet një person, i cili i trupëzon të dyja këto ndjenja në të njëjtin subjekt për të njëjtën ngjarje dhe në të njëjtën kohë. Thelbi i dyzimit të këtyre kolonave qëndron në faktin e abstenimit të së moralshmes në të tri kolonat e ngjarjes. E moralshmja është investimi dhe garancia më e mirë për besueshmërinë. Prandaj, besoj se ka probleme me besueshmërinë në të tri kolonat e ngjarjes. Ka probleme me besueshmërinë e shtetit dhe institucioneve të tij në lidhje me zbatimin e procedurave ligjore kur një ngjarje e tillë ndodh, sepse morali i ligjit nuk aplikohet njësoj si për individin e thjeshtë dhunues, ashtu edhe për ‘vip’-in apo ‘vip’-at e kësaj shoqërie.

Morali i ligjit është relativizuar dhe besueshmëria ndaj tij dhe zbatuesve të tij bie me kokë poshtë, sa herë që shteti dështon të jetë thjesht shteti që duhet të jetë. Një “Far West”, ja çfarë është kthyer Shqipëria sot. Banditë dhe njerëz ordinerë, që kontrollojnë jetët tona. Banditë dhe njerëz ordinerë që kontrollojnë edhe kontrolluesit e jetëve tona, politikanët. Sot, më shumë se kurrë, krimi ka hipur në piedestalin e qytetit dhe e ka nënshtruar atë. Njerëz ordinerë që na kanë futur në një rreth vicioz ordiner, nga i cili nuk dilet vetëm se me një reformë totale të brendshme njerëzore. Ata nuk kanë vrarë vetëm njerëz, ata po vrasin shpresën dhe bashkautor me ta në krim është edhe lidershipi ynë politik.

Kriminelët dhe të korruptuarit tanë publike janë disa herë më të paktë se kriminelët dhe të korruptuarit tanë të fshehtë. Ka probleme me besueshmërinë tonë si popull, të cilët relativizojmë kriterin moral të pothuaj çdo gjëje, dhe pastaj kërkojmë me insistim drejtësinë sociale dhe dinjitetin e munguar. Sa njerëz shëtisin rrugëve dhe që mund të jenë kriminelë, diktatorë e të korruptuar potencialë, të cilët nuk i njohim vetëm se nuk u është dhënë mundësia. Jemi ne që prodhojmë këtë establishment me anë të votës apo qoftë edhe me anë të një tundjeje të thjeshtë koke në shenjë aprovimi të atyre mijëra çikërrimave të gabuara e padrejtësive, të cilat grumbullohen sa një “mal që s’bzan” dhe që përbën realitetin, nga i cili sot të gjithë duan të ikin.

Ka probleme edhe me vetë besueshmërinë e Xhiselës, e cila ka vendosur ta ndërtojë marrëdhënien e saj brenda një kodi, i cili për vite me radhë ka lejuar të bashkëjetojë me një njeri problematik, të cilin, për çudinë e të gjithëve, ajo vazhdon akoma ta dojë, të xhelozohet dhe për më tepër të deklarohet se shenjat e cigares janë pasojë e lojës me të dashurin. Është e kërcënuar me jetë, mund të mendojmë, prandaj shprehet kështu.

Edhe nëse do të ishte e vërtetë kjo, edhe nëse dikush mund të na e ndante qartazi frikën e saj nga histeria gjatë prononcimeve, përsëri është detyrë e shtetit të garantojë sigurinë dhe integritetin e qytetarëve të vet, të shprehen ashtu siç janë në të vërtetë, sidomos të atyre qytetarëve, të cilat janë në pozita të tilla si Xhisela. Ngjarje të tilla, të cilat po ndodhin shpesh, ngjajnë me eksperimente sociale, të cilat po na ndodhin falë një teknologjie makabre, e cila vë ne testim të vazhdueshëm vetë marrëdhënien tonë me ngjarjen nga ku arrijmë të lexojmë vetveten dhe rënien tonë të lirë drejt humbjes së besueshmërisë. Nëse në një ndodhi të gjithë komponentët e saj kanë probleme me besueshmërinë, atëherë çdo ngjarje do të shoqërohet me hije të pafundme, hije të cilat do të duken si tragjedi me një akt të vetëm, që më kot përpiqen për t’i siguruar qytetit katarsisin.