EULEX bastis shtëpinë e presidentit të dorëhequr, Hashim Thaçi

Raportohet se EULEX me ndihmë të policisë së Kosovës po kryen bastisje në shtëpinë e Thaçit...

Pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) janë parë para shtëpisë së presidentit të dorëhequr të vendit, Hashim Thaçi, raporton Anadolu Agency (AA).

EULEX me ndihmë të policisë së Kosovës po kryen bastisje në shtëpinë e Thaçit në Çagllavicë të Prishtinës.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se po kryen “operacione në vazhdim e sipër në Kosovë”.

“ZPS aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit”, njoftoi ZPS mëngjesin e sotëm.

Kujtojmë se dje ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë edhe presidentin e dorëhequr, Thaçi, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuar të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Më herët para se të udhëtojë për në Hagë, Thaçi në një konferencë për media njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i presidentit për shkak të konfirmimit të aktakuzës. Ai tha se këtë vendim e merr për të mbrojtur integritetin e shtetit të Kosovës.