Erion Veliaj: Marrëveshje me artistët, teatër të ri për Tiranën

Regjisori i mirënjohur Altin Basha: Kemi rënë dakord për teatër të ri...

Tirana do të ketë një teatër të ri, në token ku ndodhet sot ai ekzistues. Kjo është pika për të cilën kanë rënë dakord, komuniteti i artisteve të përfaqësuar nga regjisori Altin Basha dhe aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi, gjatë një takimi në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Dua të falenderoj sot publikisht të gjithë komunitetin e artistëve, sindikatat, qytetarët, protestuesit, arkitektët, urbanistët, zjarrfikësit, të gjithë ata që kanë dhënë një dorë, disa në mënyrë më intensive, disa sporadike, por të gjithë që kanë dhënë një dorë që të gjejmë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë Tiranës një teatër të ri, modern, në tokën ku është teatri sot. Kjo nuk ka qenë një negociatë e lehtë. Në fillim fare filluam nga ekstreme, nga qëndrime shumë të ndryshme, por me sa duket ku ka vullnet, ku ka dëshirë, ka një rrugëzgjidhje. Dua t’i falënderoj publikisht jo vetëm të dyja sindikatat, të gjithë faktorët që insistuan që ky projekt të bëhej më i mirë.”

Regjisori Altin Basha, ashtu si gjatë këtij takimi edhe pas tij vuri në dukje se ky është vetëm një hap i parë, për t’i çelur rrugën negociatave deri në finalizim të një marrëveshje të plotë për teatrin e ri, shkruan Klan.

“Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme.”

Pas këtij takimi aktori Arben Derhemi ka reaguar në rrjetet sociale, ku është shprehur që nuk ka ende një marrëveshje dhe se takimet janë negociata për të mbrojtur teatrin. Në të njëjtën kohë një grup artistesh i janë drejtuar me një letër të hapur Presidentit, Kryeministrit dhe instancave të tjera për dakordësinë dhe domosdoshmërinë e ngritjes së një teatri të ri.