Dialogu, mënyra më efikase e komunikimit, në politikë, në fe dhe në jetën tonë të përditshme!

Grekët e vjetër besonin se e vërteta zbulohet vetëm nëpërmes bisedimit (dialogos). Urtësia, thoshin ata, arrihet me komunikimin e ndërsjellë. Dialogu ushqen shpirtin tonë sikur loja me lodra që ushqen shpirtin e fëmijës. Nga grekët bota mësoi dialogun ndërsa romakët na falën aftësinë e të folurit. Të parët hynë në histori me urtësi (fryti i bisedimeve) të dytët u njohën me “të drejtën” (fuqia e retorikës). Sokrati jetën e tij e kaloi duke biseduar. Sipas tij, edhe të menduarit është një lloj dialogu me vetveten. Dialogu është hominem quero, thoshte ai. Të jesh njeri, donë të thotë të bisedosh me tjetrin. Njeriu nuk është qenie që vetëm flet por qenie që bisedon.

Nga: Mustafa Bajrami

Grekët e vjetër besonin se e vërteta zbulohet vetëm nëpërmes bisedimit (dialogos). Urtësia, thoshin ata, arrihet me komunikimin e ndërsjellë. Dialogu ushqen shpirtin tonë sikur loja me lodra që ushqen shpirtin e fëmijës. Nga grekët bota mësoi dialogun ndërsa romakët na falën aftësinë e të folurit. Të parët hynë në histori me urtësi (fryti i bisedimeve) të dytët u njohën me “të drejtën” (fuqia e retorikës). Sokrati jetën e tij e kaloi duke biseduar. Sipas tij, edhe të menduarit është një lloj dialogu me vetveten. Dialogu është hominem quero, thoshte ai. Të jesh njeri, donë të thotë të bisedosh me tjetrin. Njeriu nuk është qenie që vetëm flet por qenie që bisedon.

Ka dallime substanciale mes të folurit dhe të biseduarit. Të flasësh donë të thotë të jesh vetëm ti, ndërsa kur bisedon, pranon edhe tjetrin, të barabartë me ty dhe afër teje. Sot, njerëzit nuk janë gjithaq të vetëdijshëm për rëndësinë e krijimit të urave mes tyre. Ata flasin shumë, por pak bisedojnë. Njeriu që flet tepër, nuk ka shumë për të dhënë, ndërsa kur dëgjon vetëm vetveten, nuk dëgjon të tjerët. Njeriu ka nevojë të mësojë si të bisedojë, por edhe si të dëgjojë.

E tërë jeta është luftë për veshin e huaj, thoshte Kundera. Nëse është e vërtetë se “muret kanë veshë”,  atëherë është e vërtetë se edhe “veshët kanë mure”, vazhdonte ai.

Dialogu më i mirë është pa ndërmjetësime. Sa më shumë ndërmjetësues që ka, aq më larg janë palët mes vete. Numri kaq i madh i institucioneve, OJQ-ve e organizatave që themelohen për çdo ditë, tregon mungesën e dialogut mes njerëzve. Njerëzit janë në kërkim të dashurisë dhe të vërtetës të cilat zor se po e gjejnë. Për shkak se në skenë janë anti-vlerat, andaj kërkohet ndihma e institucioneve të tilla që as krijojnë vlera e as prodhojnë dashuri.

Atëherë, cilat janë shkaqet dhe motivet që pengojnë dialogun mes njerëzve? Mos vallë është llomotitja e tepërt, e jo bisedimi? Të jemi të qartë!. Dialogu nuk bëhet vetëm duke folur. Në dialog dëgjohet edhe mendimi tjetër. Njerëzit me përvoja të thella janë të gatshëm të dëgjojnë më shumë se ata me përvoja të cekëta. Ibn Halduni kishte nënvizuar se njeriu me përvojë dëgjon më shumë se sa flet. Personi i gatshëm për dialog dallon shumë nga ai që refuzon dialogun dhe i cili është asgjë. Me dialog zbutet bindja e gabueshme se vetëm njëri ka të drejtë. Dialogu jep mundësinë e vlerësimit të tjetrit, krijon mundësinë e qasjes kritike ndaj çështjes së shtruar. Ai është fillimi i përfundimit të besimit të çoroditur se pala tjetër nuk ka të drejtë.

Njeriu, “i gjallë” është atëherë kur tregon gatishmëri për të biseduar. Dialogu pa rezultate është më i mirë se rezultati pa dialog. Pyetjet (çështjet) e parashtruara në dialog janë esenca e dialogut e jo përgjigjet e dhëna aty. Liria e të pyeturit është djepi i mendimit të lirë. Ndër gabimet e mëdha që bëjnë teologët është pikërisht qëndrimi i tyre i ftohtë kundër pyetjes. Ata frikojnë besimtarët mbase edhe me dënim nga Zoti, nëse këta të fundit pyesin shumë. Nëpërmes pyetjes njeriu arrin tek e Vërteta. Pyetja lidhë edhe njerëzit dhe është themeli i shoqërisë së hapur. Pyetjet e shtruara në dialog janë ato që bashkojnë ndërsa përgjigjet që dalin nga aty janë ato që mund të ndajnë. Pyetja “jote” së bashku me pyetjen “time” krijojnë pyetjet “tona”. Pyetjet janë më të dashura se përgjigjet. Ajo që mbetet dhe nuk ndryshon është pyetja e jo përgjigja. Kur largojmë mënjanë përgjigjet, të freskëta mbeten vetëm pyetjet sepse ato jemi “Ne”. Kur bisedohet me tjetrin, biseda është dialogu mes njerëzve. Njeriu si njeri mund të ekzistojë si njeri vetëm kur bisedon me njeriun tjetër, përndryshe nuk është njeri.

Dialogu është marrje-dhënie reciproke, si i tillë prodhon dashuri. Dashuria e vërtetë është ajo që jep dhe merr. Kur bisedohet, njerëzit bashkohen dhe duhen mes vete. Aty ku gënjehet nuk ka dashuri. Dialogu krijon bazën e  dashurisë mes njerëzve. Dashuria shtohet vetëm duke biseduar.

Dialog nuk mund të ketë as mes njerëzve që mendojnë njëjtë. Të qenit të njëjtë nuk ka kurrfarë kuptimi. Nëpërmes dialogut duhet kërkuar të vërtetën e jo fitoren ndaj tjetrit.

Dialogu është mënyra për t’i bërë njerëzit të hapen ndaj njëri tjetrit. Mbyllja në vetvete është strofulli i djallit, dhe i diktatorit. Në fakt, njeriu i mbyllur në vetvete, nëse dëshiron të mbetet njeri, ai duhet të bisedojë, së paku me karakterin e brendshëm, por gjithsesi të bisedojë. Pa dialog njeriu është diçka tjetër, por jo më njeri. Nëpërmes “tjetrit” njeriu njeh vetveten ndërsa me ndihmën e të tjerëve tejkalon “vetëm vetveten”. Nga rrafshi antologjik, njeriu është qenie e pa-përkryer, ndërsa nga rrafshi gnoseologjik është i kufizuar. Dialogu është mënyra më sublime e arritjes deri tek e vërteta.

Berzhajevi mendonte se e vërteta është sikur jeta bashkëshortore; e vërteta nuk është vetëm e njërës palë, por e të dyja palëve. Mendimi yt mbi veten korrigjohet me mendimin e tjetrit për ty. Dialogu mes njerëzve perfeksionon edhe atë që është “Unë” edhe atë që është “Ti”. Ai është mozaiku i të qenit “Ne”.

Vetëm ai që pretendon se njeh plotësisht të vërtetën, nuk ka nevojë të bisedojë. E, me që nuk ka  të tillë, të gjithë kanë nevojë të bisedojnë.

Dialogu nuk duhet të bëhet me imponime, sepse imponimi shkel mbi integritetin e tjetrit. Njeriu është i prirë të jetë materialist më shumë se që i jep rëndësi vlerave të larta morale. Mohimi i të drejtës së tjetrit për të jetuar është krim i rëndë që i bëhet njeriut, nga njeriu. Egoizmin nuk e duron as Zoti. Sikur që nuk është e vërtetë krejt çka them unë, nuk është gabim as krejt çka thua ti. Nëse ka njeri që krejt çka thotë është ashtu, atëherë pse të ekzistojnë të tjerët? Dialogu zhvillohet vetëm aty ku njerëzit mendojnë ndryshe. Të bisedohet me ata që mendojnë si ti, donë të thotë të flasësh me vetveten. Zhdukja e dallueshmërisë mes njerëzve është fillimi i vdekjes së shpirtit të shoqërisë.

Njeriu dogmatik nuk duron dallueshmërinë. Dogma pengon debatin dhe zhvillimin. Dogma është forma e brendshme e dhunës ndërsa dhuna është forma e jashtme e dogmës. Pushteti i Greqisë së vjetër pranoi mendimin gjenial të Sokratit por vetëm deri atëherë kur ky i fundit preku dogmat helene, dhe kur i kritikoi ato, e helmuan për vdekje. Edhe në fe ekzistojnë dogmat. Të mira apo të këqija që janë, ato nuk lejon të preken. Nëse dikush merr guximin t’i interpretojë, ai shpallet heretik dhe i kërkohet koka. Gjeneratat e para të myslimanëve nuk ishin dogmatike, ndaj Islami u përhap në katër anët e botës, shpejt dhe efektshëm. Shkaqet e prapambeturisë së myslimanëve të sotëm duhet kërkuar në dogmatizmin e gati gjitha segmenteve të fesë. Nëpërmes interpretimeve të thata ku në prapaskenë qëndrojnë interesat e ngushta të individëve dhe grupimeve të caktuara, institucionet fetare i kane bërë ashtu  kinse janë të shpallura nga Zoti dhe s’ka kush që mund të thotë edhe një të vetmen fjalë për to. Dogmë është bërë sot edhe politika e krerëve të institucioneve dhe sa herë që mendohet ndryshe nga ata, shpallesh armik i atij institucioni mbase edhe i fesë. Në fakt, këtu, ndoshta qëllimisht harrohet se që dy djemtë e Ademit a.s. ishin besimtarë.

Dialogu i vërtetë nuk duron shumë rregulla e filozofi. Mjafton sinqeriteti mes njerëzve. Njerëzit me shpirt të pastër mund të bisedojnë, të dialogojnë, të tjerët vetëm flasin. Ne mund të ekzistojmë vetëm kur unë dhe ti puqemi diku, për të biseduar” thoshte M. Buber.

Në dialog askush nuk humb, të gjithë mund të fitojnë. Përgjatë dialogut dalin gjëra të mrekullueshme. Aty zhvillohet një “sharing” i së vërtetës. Sa do që e vërteta, e bukura dhe e madhërishmja dhurohen mes njerëzve, ato kurrë nuk pakohen. Vlera e njeriut duhet të matet me shkallën e bashkë-ndarjes me të tjerët; sa më shumë që jemi të hapur ndaj njëri tjetrit aq më shumë i afrohemi Zotit dhe sa më shumë që largohemi nga njëri tjetri aq më larg i jemi Atij.

Dialogu është analiza vetvetes dhe metoda më e mirë për pranimin e tjetrit. Dialogu duhet të vlerësohet mbi bazën e interesave të përbashkëta të palëve që dalin nga bisedimi. Në një shoqëri ku flitet më shumë se që zhvillohet dialog aty nuk ka liri.

Dialogu që nuk ka kuptimin e bashkëpunimit shndërrohet në imponim dhe si i tillë është fillimi i dhunës. Herodoti në “Historia”-n e tij kishte shkruar: “Askush nuk duhet të zgjedhë luftën para paqes. Në paqe fëmijët varrosin prindërit ndërsa në luftë prindërit varrosin fëmijët”. Prandaj, sa më shumë që bisedohet aq më pak dhunës i mbetet hapësirë. Dialogu është politika më e mirë e mundshme. Është imperativ i kohës. Qëndrueshmëria e saj varet prej marrëdhënieve që do të krijohen mes të gjithëve. Solidariteti, pranimi i njëri tjetrit dhe qëndrimi larg diferencimeve duhet të jetë bazë e përpjekjeve për një të ardhme më të mirë. Këto, dhe shumë të tjera arrihen vetëm nëpërmes dialogut të hapur, të sinqertë dhe larg interesave të ngushta personale.