Deputeti Veljanovski: Funksionimi i FETO-s në vend është një “sekret publik”

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nga radhët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Aleksandar Veljanovski, sërish shprehet se funksionimi i organizatës terroriste FETO në vend është një "sekret publik"

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nga radhët e partisë politike opozitare VMRO-DPMNE, Aleksandar Veljanovski, sërish shprehet se funksionimi i organizatës terroriste FETO në vend është një “sekret publik”, raporton Anadolu Agency (AA).

Veljanovski, i cili në seancën parlamentare për pyetjet e deputetëve të mbajtur më 25 mars nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e pyeti kryeministrin Zoran Zaev në lidhje me funksionimin e organizatës terroriste FETO në vend, iu përgjigj pyetjeve të AA-së.

Në deklaratën me shkrim, Veljanovski thotë se pyetja ka qenë në lidhje me raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Një nga instrumentet që i kemi në dispozicion si deputetë janë pyetjet e deputetëve dhe përmes tyre, ne si deputetë mund të përcjellim kërkesat dhe pyetjet e votuesve tanë te zyrtarët e lartë të Qeverisë përmes Kuvendit”, thotë Veljanovski.

Duke folur rreth asaj se si e sheh ai funksionimin e organizatës terroriste FETO në vend, Veljanovski shpreh dyshimet se ajo zhvillohet nën maskën e veprimtarive tregtare.

“Është një sekret publik që në Republikën e Maqedonisë (së Veriut), nën maskën e veprimtarive tregtare, vepron organizata FETO, e cila është objekt i hetimeve dhe persekutimit në shumë vende, përfshirë SHBA-në. Nga Qeveria e Maqedonisë (së Veriut) pritet që të kultivojë miqësinë me Republikë e Turqisë por edhe të avancojë bashkëpunimin në të gjitha sferat”, tha Veljanovski.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse e vlerëson si të rrezikshëm funksionimin e organizatës terroriste FETO për nga aspekti i sigurisë së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj, Veljanovski tha se siguria duhet të jetë prioritet dhe se pikërisht për këtë ia ka parashtruar pyetjen kryeministrit Zaev.

“Unë si deputet, nuk kam instrumente për të ditur me siguri nëse ka apo jo funksionim të kësaj organizate në shtetin tonë, por tek unë arrijnë informacione që ia parashtrova si pyetje të deputetëve dhe pikërisht për këtë kryeministrit iu parashtrua pyetja nëse nën maskën e veprimtarive tregtare, vepron kjo organizata në Maqedoni. Vlerësoj që pyetja ime drejtuar kryeministrit Zaev do të inkurajojë përpjekje shtesë për reagim institucional me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë midis Republikës së Maqedonisë (së Veriut) dhe Republikës së Turqisë”, thotë Veljanovski.

I pyetur se si duhet të reagojnë institucionet kompetente në lidhje me kërkesën e Turqisë për ekstradimin e anëtarëve të FETO-s, Veljanovski thotë:

“Si vend anëtar i NATO-s dhe vend aspirant për anëtarësim në institucionet e BE-së, duhet të reagojnë shpejt dhe me vendosmëri gjithmonë kur bëhet fjalë për përforcimin e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit, gjithsesi duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e shtetit tonë, por gjithashtu edhe marrëveshjet ndërkombëtare”.

“Fatkeqësisht, nuk mora përgjigje nga kryeministri Zaev”

Në pyetjet e tij të parashtruar në seancë parlamentare, Veljanovski pyeti kryeministrin Zaev edhe për ndikimin e mundshëm të FETO-s në politikën e brendshme.

Në lidhje me këtë, ai shprehet se nuk di më shumë detaje dhe se “pikërisht për këtë kam parashtruar pyetjen time që buron nga komunikimi i përditshëm”.

“Fatkeqësisht, nuk mora përgjigje konkrete as nga kryeministri Zoran Zaev”, thekson Veljanovski.

Në lidhje me bashkëpunimin mes dy vendeve në mënyrë që organizata terroriste FETO të mos ndikojë në prishjet e marrëdhënieve miqësore, Veljanovski thotë se bashkëpunimi me Republikën e Turqisë duhet të jetë në nivel më të lartë të mundshëm përmes shembujve konkret të miqësisë, pasi siç thekson ai, miqësitë mes shteteve ndërtohen me mirëkuptim të ndërsjellë.