Deputetë të Kosovës kërkojnë drejtësi për Masakrën e Dubravës

"Mosdënimi i këtij krimi i përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta. Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një seance të veçantë ka përkujtuar Masakrën në Burgun e Dubravës në Istog, në 20 vjetorin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga parti të ndryshme, kanë shpalosur përjetimet dhe kujtimet mbi këtë ngjarje duke kërkuar drejtësi dhe ndëshkim mbi kryerësit e masakrës nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

I mbijetuari i kësaj masakre, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, tha se masakra e Burgut të Dubravës ka qenë e planifikuar, nisur nga fakti që të burgosurit i kanë mbledhur nga burgjet e tjera dhe i kanë sjellë në Dubravë.

Hasani tha se në Burgun e Dubravës ka pasur mbi 960 të burgosur, ndërsa fajin për bombardimin e saj, Serbia u mundua t’ia lë “bombardimeve të NATO-s”.

“Kjo masakër u realizua ashtu siç ishte dhe planifikuar sepse duhet të vriteshin shqiptarë dhe të burgosurit sa më shumë që ishte e mundur dhe fajtor të ishte NATO-ja për këtë masakër. Por, atë që nuk mundën ta realizonin me djallëzi, që krimet t’ia linin NATO-s, e realizuan vetë shteti serb më 22 deri më 24 maj 1999”, tha Hasani.

I mbijetuari tjetër i masakrës së Dubravës, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka thënë se kjo masakër nuk dallon nga tmerret dhe mizoritë e masakrave tjera. Aliu ka thënë se Serbia për masakra të shumta në Kosovë përpiqet të thotë se nuk ka pasur kontroll mbi to.

“Masakrës së Dubravës nuk i mungojnë dëshmitë e rrëfimit, as faktet dhe dokumentet. Madje, konsideroj se është një ndër krimet më të dokumentuara të Serbisë. Të gjallë janë dëshmitarët e kësaj masakre, e që një pjesë të tyre sot i kemi këtu prezent në këtë sallë. Të freskëta janë kujtimet edhe pse kanë kaluar 20 vite. Edhe përkundër kësaj ende nuk ka drejtësi për këtë krim si dhe për të gjitha krimet nga Serbia”, tha Aliu i cili shtoi se as ndërkombëtarët dhe as vendorët nuk e bënë punën që duhej bërë edhe përkundër ekzistencës së dëshmive dhe fakteve.

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, kërkoi nga shteti i Kosovës të bëhet më shumë që masakrat e Kosovës të vizuelizohen, të bëhen filma dhe dokumentare, në mënyrë që të njihet bota me to.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është koha e duhur që Kosova të ndërmarrë veprime institucionale. “Të marrim masat, veprimet institucionale të cilat nuk na bëjnë ne një shoqëri vajtuese, nuk na bëjnë ne vetëm një shoqëri përkujtuese – cila do që të jetë. Por, na bëjnë një shtet i cili është veprues, i cili kërkon drejtësi dhe e vë drejtësinë në vend, deri në fund”, tha Veseli.

Për Masakrën në Burgun e Dubravës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta.

“Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme”, shkroi Haradinaj.