Challandes: Kombëtarja e Kosovës do të japë më të mirën

Ndeshja kundër Azerbajxhanit do të zhvillohet në Baku, të premten, më 7 shtator, ndërsa Kosova do të jetë nikoqire e Ishujve Faroe, të hënën, më 10 shtator, edhe atë për herë të parë në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë

Në prag të ndeshjeve kualifikuese të kombëtares së Kosovës në futboll për Ligën e Kombeve përballë Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroe, përzgjedhësi Bernard Challandes tha se ekipi kombëtar do të përpiqet të japë më të mirën e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Challandes tha në konferencë për shtyp se kombëtarja ka probleme me mbrojtjen, por se së bashku me shtabin do të shqyrtojnë gjatë stërvitjeve se cilët lojtarë janë më të mirë.

“Unë po punoj që të kemi një ekip të mirë jo vetëm për këto lojë por edhe për të ardhmen. Kosova ka një ekip që mund të themi foshnje dyvjeçare, por që shpresoj se do të rritet dhe ka një të ardhme jashtëzakonisht të mirë”, theksoi Challandes, njoftohet në faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ai rikujtoi se Kosova ka treguar rezultate të mira në disa ndeshje miqësore, siç ishte ajo kundër Shqipërisë, por theksoi se këto rezultate mund të jenë mashtruese.

“Sa i përket kundërshtarit Azerbajxhanit unë mendoj se është një skuadër e fortë me agresivitet dhe është e ranguar më së larti në këtë grup. Prandaj duhet të kemi kujdes. Nuk ka favorit absolut prandaj do të bëjmë më të mirën e mundshme”, deklaroi Challandes.

Challandes ka folur edhe për futbollistët që mund t’i bashkohen ekipit kombëtar në të ardhmen, duke thënë se gjendja e futbollistëve është e mirë dhe nuk ka probleme në këtë aspekt.

Ndeshja kundër Azerbajxhanit do të zhvillohet në Baku, të premten, më 7 shtator, ndërsa Kosova do të jetë nikoqire e Ishujve Faroe, të hënën, më 10 shtator, edhe atë për herë të parë në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Në kualifikimet për Ligën e Kombeve, Kosova konkuron në Ligën D, Grupi 3, me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.

Liga e Kombeve është një garë e re nën ombrellën e UEFA-s, e cila synon të zëvendësojë ndeshjet miqësore. 55 skuadrat pjesëmarrëse janë të ndara në katër liga (A-D), ndërsa secili divizion ka katër grupe. Secili grup ka tre ose katër skuadra, ndërsa ndeshjet luhen në të dy anët.