Cërrik, AKU mbyll thertoren ilegale jashtë çdo standardi

Pas të dhënave nga qytetarët, trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU, Elbasan ka konstatuar vetëm 30 metra larg Bashkisë së Cërrikut një thertore në ambientet e një garazhi, jashtë çdo standarti.

Pas të dhënave nga qytetarët, trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU, Elbasan ka konstatuar vetëm 30 metra larg Bashkisë së Cërrikut një thertore në ambientet e një garazhi, jashtë çdo standarti.

Inspektorët e AKU-së në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme gjatë inspektimit konstatuan ushtrimin e aktivitetit të therjes në një ambient krejtësisht të papërshtatshëm dhe natyrisht pa asnjë kontroll veterinar (garazh) që kryhej nga shtetasi Faik Salla. Nga trupa inspektuese u konfiskuan 5 karkasa qingji me peshë 62 kg,  një kec i sapotherur.

Për shkeljet e mësipërme u morën masat: ndalim  i aktivitetit, konfiskim i mishit, mjeteve të punës (4 çengela, një thikë) si dhe masë administrative, gjobë në vlerën 350 000 lekë, raporton ATSH.

Fotot e realizuara në ambientet e subjektit tregojnë fare qartë kushtet e rënda higjieno-sanitare ku shtetasi Faik Salla tregtonte  produktin e mishit të kecit dhe qingjit brenda ambienteve të një garazhi.

“Referuar ligjit nr 87/2012 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 16.8.2012, të këshillit të ministrave “Për përcaktimin e Rregullave për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre”” neni 6/1 dhe neni 11 sanksionohet se: Organet e njësive të qeverisjes vendore janë të detyruara të ushtrojnë kontroll në territorin në administrim të tyre për aktivitetin e therjes që kryhet nga subjekte të pa regjistruara në kundërshtim me ligjin dhe nëse konstatojnë shkelje”, njoftoi AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje sërish konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit.

Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.