Bojkotohet mësimi. Protestojnë studentët e universiteteve në rrethe

Studentë të universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kanë protestuar në sheshin “2 Prilli”, duke bllokuar për disa minuta rrugën. Ata shprehen se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se janë duke shqyrtuar disa kërkesa të reja.

Protesta në qytetin e Korçës është masivizuar. Jo vetëm studentë, por edhe nxënës të gjimnazeve i janë bashkuar këtij reagimi që zgjat prej disa ditësh në qytetin juglindor. Kanë qenë nxënës të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, por edhe “Themistokli Gërmenji” ata të cilët kanë bojkotuar mësimin duke u bërë njësh me studentët e universitetit “Fan Noli” në Korçë dhe u nisën drejt bulevardeve kryesore të qytetit. Pasi kanë qëndruar për gati një orë në ambjentet e Universitetit të Korçës, të gjithë së bashku janë nisur drejt qendrës së qytetit për të protestuar, duke shtuar edhe kërkesat e tyre.

  Pa Koment – Protestojnë studentët e universiteteve në rrethe

Më pas, studentëve u janë bashkuar edhe nxënës të gjimnazeve nga Devolli, por edhe rrethinat, duke rritur përmasat e protestës. Ata kanë marshuar përgjatë Bulevardit Republika, kanë kaluar në zonën këmbësore dhe më tej në Bulevardin Shën Gjergji, ku kanë qëndruar për disa minuta.

Protesta e studentëve në Gjirokastër ka hyrë në ditën e saj të tretë. Ata kanë zgjedhur të marshojnë në shëtitoren kryesore të Gjirokastrës, ndërsa kanë ftuar edhe qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj proteste.