Belinda Balluku: Prishja e kontratave të HEC-eve, asnjë risk financiar

“Prishja e kontratave të HEC-eve nuk do të ketë asnjë risk financiar për buxhetin e shtetit dhe procesi është konform ligjit”, ka deklaruar sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Prishja e kontratave të HEC-eve nuk do të ketë asnjë risk financiar për buxhetin e shtetit dhe procesi është konform ligjit”, ka deklaruar sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

E ftuar në studion e ERTV-së, Balluku ka folur edhe për procesin e skanimit të kontratave jooperative të HEC-eve në vend.

“Nga 54 subjekte që kanë kaluar tanimë në skanim, 8 prej tyre kanë patur probleme të rënda me mospërmbushjen e kushteve ligjore dhe teknike, çfarë ka çuar në prishjen e njëanshme të kontratës me to. Kjo prishje e kontratës, nuk do të ketë asnjë risk financiar për buxhetin e shtetit, sepse procesi është duke u kryer konform ligjit dhe strukturat tona janë impenjuar për këtë”, tha Balluku, raporton ATSH.

Më tej, Balluku shtoi se “situata e hidrocentraleve të vogla, sepse në këtë proces i referohemi hidrocentraleve nën 2 megavat, pasi hidrocentralet me fuqi më të madhe kryesisht, operojnë në kushte teknike dhe ligjore të përmbushura. Publiku duhet të jetë i qartë se askush nuk i ka ndaluar këto HEC-e të operojnë, askush nuk ka ndaluar biznesin apo balancën e investimeve, thjesht është identifikuar një situatë joligjore në përmbushje të kushteve kontraktuale”.

Po ashtu, Balluku shtoi se përveç verifikimit të dokumenteve, janë duke u kryer edhe verifikimet në terren për këto subjekte.

“Ky proces skanimi, – sipas saj, – ka nxjerrë në pah edhe nevojën për të ndryshuar ambientin ligjor, qofshin VKM, apo ligje që rregullojnë fushën e energjisë përgjithësisht. Ne jemi duke punuar për të përmirësuar kuadrin ligjor, si në prodhimin e hidrocentraleve, ashtu edhe të parqeve solare”, tha Balluku.