Gjykata në Bosnjë dhe Hercegovinë ka shqiptuar dënim total prej 82 vitesh për pesë ish-ushtarë serbë për krime lufte të kryera ndaj civilëve bosnjakë dhe kroatë gjatë luftës në këtë vend (1992-1995), raporton Anadolu Agency (AA).
Vendimi i gjykatës u shpall në lëndën gjyqësore “Marjanoviç dhe të tjerët”.
Dragan Marjanoviç, Sasha Gavranoviç, Vitomir Deviç dhe Zoran Shljuk morën nga 17 vite burgim, ndërsa Dragomir Kezunoviç u dënua me 14 vite për krime të kryera ndaj popullatës boshnjake dhe kroate në qytezën Tesliç në veri të vendit në qershor të vitit 1992.
Siç u tha gjatë shpalljes së vendimit, Marjanoviç ishte komandant i Njësisë së Tesliçit në Ushtrinë e Republikës Sërpska (VRS), ndërsa emrat e tjerë po ashtu kanë shërbyer në këtë njësi.
Në aktvendim po ashtu u tha se civilët boshnjakë dhe kroatë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe se 28 civilë të kapur nga Gavranoviç, Deviç dhe Shljuk janë pushkatuar me urdhër të Marjanoviçit, ndërkohë që Kezunoviç ka marrë pjesë në mënyrë indirekte në këtë krim.