BE-ja publikon propozim-marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ka publikuar propozim-marrëveshjen që synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, transmeton Anadolu.

Pas takimit të mbrëmshëm mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE), është publikuar propozim-marrëveshja 11-pikëshe.

Propozim-marrëveshja parasheh që palët të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta, si dhe të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet e tyre përkatëse kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Pika e dytë e propozim-marrëveshjes thekson se të dyja palët duhet të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtës së vetëvendosjes, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.

Propozim-marrëveshja parasheh që palët, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

“Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e referuara në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian”, theksojnë pika 4 dhe 5.

Sipas pikës 6, kjo marrëveshje bazë përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, ndërsa të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

“Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe ndërlidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fusha të tjera të ngjashme, përmes arritjes se marrëveshjeve specifike”, shton pika e 6, duke theksuar se detajet do të dakordohen në marrëveshjet shtesë të ndërmjetësuara në dialogun e udhëhequr nga BE-ja.

Pika 7 e propozim-marrëveshjes kërkon që të dyja palët të angazhohen që të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

“Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, theksohet më tej

Propozim-marrëveshja kërkon që palët të shkëmbejnë Misionet e Përhershme, duke i vendosur në selitë përkatëse qeveritare, ndërsa çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Më tej potencohet se të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të palëve në zhvillimin ekonomik, ndërlidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Nga palët kërkohet që të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, duke konfirmuar detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e dialogut nga e kaluara, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Pika e fundit dhe e 11-të thekson se të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit në aneks të marrëveshjes në fjalë.

Kurti dhe Vuçiq dje u takuan me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.