Artizanati, një nga pikat me zhvillimin më të shpejtë

Një nga pikat me zhvillimin më të shpejtë në programin “100 Fshatra” do të jetë artizanati.

Një nga pikat me zhvillimin më të shpejtë në programin “100 Fshatra” do të jetë artizanati.

Koordinatorja Kombëtare e Programit “100 Fshatra’, Elva Margariti gjatë takimit mes kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të bashkive, tha se, megjithatë kjo është një nga pikat që është prekur shumë pak në sjelljen e nevojave apo problematikave nga fshatrat.

“Kjo do të jetë me siguri një nga pikat e zhvillimit më të shpejta. Kapacitetin e kemi për pjesën e artizanatit, por që deri diku në fshatra nuk është konceptuar zhvillimi i artizanatit si një potencial. Për këtë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, workshope të ndryshme”.

Margariti shtoi se ndërthurja deri tani ka filluar edhe me shkollat profesionale.

“Kjo është një tjetër pikë e rëndësishme. Por duhet thënë që për hir të së vërtetës shkollat profesionale janë të vendosura larg fshatrave, pra ndodhen në qytete dhe deri diku mund të mendohet që ndërlidhja me to nuk do të qe e mundur dhe nuk do ta prekte dhe fshatin. Por mendojmë të organizojmë aktivitete evente të ndryshme për të përmbledhur shkollat profesionale dhe për t’i çuar ato nëpër qarqe. Duke mbledhur personat që ndodhen në listën e zyrës së punës ose që nëpërmjet komuniteteve dhe bashkive janë evidentuar si persona që mund të zgjerojnë më tej këtë aktivitet”, tha Margariti, raporton ATSH.

Pra, vijoi ajo, “ndërthurja me shkollën profesionale mund të bëhet edhe pa marrë pjesë vetë në shkollë, por në ndërthurjen e dijeve dhe duke bërë të mundur që shkolla profesionale duke shkuar në fshatra të krijojnë dhe impaktin e parë të dialogut midis personave që zakonisht nuk do të kishin të bënin me fshatin, nuk do të aksesonin fshatin, por për të gjetur gjithmonë një qëllim final që është ai i dijes’.